21 JANAR 2015
POLONI
70-vjetori i lirimit të të mbijetuarve të Aushvicit, ndër ta kujtohen edhe Dëshmitarët e Jehovait
VARSHAVË, Poloni—Më 27 janar 2015, mijëra veta do të kujtojnë 70-vjetorin e lirimit nga Aushvici, kampi nazist i përqendrimit dhe i vdekjes. Ky kamp famëkeq, që kryesisht u përdor për të eliminuar grupet raciale që nazistët i kishin vënë nën shënjestër, ishte edhe një mekanizëm për të përndjekur Dëshmitarët e Jehovait të kombësive të ndryshme, përfshirë edhe ata gjermanë.
Këtë rast po e organizojnë Muzeu Shtetëror Aushvic-Birkenau dhe Këshilli Ndërkombëtar i Aushvicit. Priten të marrin pjesë presidenti i Polonisë, Bronislav Komorovski, dhe delegacione shtetërore nga vende të ndryshme të botës. Ky rast do të transmetohet live edhe në Internet.
Aushvici gjendet në periferi të qytetit polak Oświęcim, të cilin nazistët e aneksuan gjatë Luftës II Botërore. Në fillim ishte një kamp përqendrimi gjerman me rreth 700 të burgosur polakë që i çuan atje në qershor të 1940-s. Shpejt Aushvici u zgjerua në një kompleks masiv me mbi 40 kampe dhe nënkampe. Katër dhomat e gazit në Aushvic-Birkenau u merrnin jetën rreth 20.000 njerëzve në ditë. Gjatë pothuajse pesë vjetëve të ekzistencës së Aushvicit, atje dërguan të paktën 1,1 milionë veta, përfshirë mbi 400 Dëshmitarë të Jehovait.
Në sitin e Muzeut Shtetëror Aushvic-Birkenau thuhet: «Përveçse tek-tuk, në literaturën për historinë e kampit të përqendrimit të Aushvicit nuk u kushtohet vëmendje Dëshmitarëve të Jehovait (që në regjistrimet e kampit quhen [Studentët] e Biblës), të cilët ishin burgosur për shkak të bindjeve të tyre fetare. Këta të burgosur meritojnë më tepër vëmendje për mënyrën si arritën të mos hiqnin dorë nga parimet e tyre morale nën kushtet e kampit.» Regjistrimet e muzeut tregojnë se Dëshmitarët e Jehovait ishin ndër të burgosurit e parë që u dërguan në Aushvic dhe nga qindra Dëshmitarët që dërguan, mbi 35 për qind vdiqën atje.
Qeveria naziste e vuri në shënjestër aktivitetin e Dëshmitarëve të Jehovait që më 1933 dhe e ndaloi këtë organizatë në mbarë Gjermaninë. Parimet morale dhe praktikat e Dëshmitarëve nuk përputheshin me ideologjinë naziste. Për shembull, Dëshmitarët nuk bënin përshëndetjen e detyrueshme «Hail Hitler», pasi për ta t’i bëje nderime Hitlerit ishte si të tradhtoje besnikërinë ndaj Perëndisë. Gjithashtu, Dëshmitarët refuzonin çdo detyrë që lidhej me ushtrinë dhe këtë qëndrim regjimi e konsideronte antishtetëror. «Po të refuzoje shërbimin ushtarak, të çonin në një kamp përqendrimi»,—shpjegon Andrzhej Shalboti, të cilin e arrestuan më 1943 dhe e dërguan në Aushvic kur ishte vetëm 19 vjeç. Dëshmitarëve të Jehovait u premtohej se do t’i lironin menjëherë po të firmosnin një dokument ku hiqnin dorë nga anëtarësia në organizatë dhe deklaronin se mësimet e saj ishin të gabuara. Z. Shalboti nuk pranoi të firmoste.
Dokumentacioni zyrtar nazist u referohet Dëshmitarëve të Jehovait me shkurtimin «IBV» për Internationale Bibelforscher-Vereinigung (Shoqata Ndërkombëtare e Studentëve të Biblës), emri zyrtar gjerman i organizatës së tyre. Nazistët u kërkonin Dëshmitarëve të mbanin në uniformë një trekëndësh vjollcë. Ky simbol i ndihmoi Dëshmitarët të dallonin bashkëbesimtarët e tyre në kamp. Çdo mbrëmje para apelit, ata takoheshin që t’i jepnin zemër njëri-tjetrit. Po ashtu, organizonin fshehtas mbledhje për të shqyrtuar Biblën me të burgosurit që u bënte përshtypje dashamirësia dhe besimi i Dëshmitarëve. Disa të burgosur u bënë Dëshmitarë të Jehovait në kampet e Aushvicit.
Mëngjesin e së shtunës të 27 janarit 1945, Ushtria e Kuqe e Bashkimit Sovjetik mbërriti në Oświęcim. Brenda orës 3 të pasdites, forcat sovjetike kishin liruar rreth 7.000 të burgosur nga Aushvici I, Aushvici II (Birkenau) dhe Aushvici III (Monovici).
Stanislav Zajoci, Dëshmitar i Jehovait, ishte ndër dhjetëra mijërat që nazistët i detyruan të evakuonin kampet e Aushvicit para se të afrohej Ushtria e Kuqe. Ai dhe rreth 3.200 të burgosur të tjerë ikën nga nënkampi në Jaworzno dhe çanë me mundim shtresat e dëborës gjatë marshimit famëkeq të vdekjes. Llogaritet që më pak se 2.000 veta i mbijetuan marshimit treditor për në Blechhammer, një nënkamp në periferi të Aushvicit që ndodhej në pyll. Në kujtimet e tij z. Zajoci tregonte për betejën që u zhvillua më pas kur ai dhe të burgosur të tjerë po fshiheshin në kamp: «Dëgjonim tanket që kalonin pranë, por askush nuk guxonte të shkonte për të parë se të kujt ishin. Në mëngjes, zbuluam se ishin rusë. . . . Ushtria ruse kishte zbarkuar në pyll dhe pikërisht aty mori fund makthi im në kampet e përqendrimit.»
Këtë vit, më 27 janar, në qytete të ndryshme të botës do të ketë konferenca dhe ekspozita që lidhen me 70-vjetorin e lirimit nga Aushvici.
Zëdhënësi(t) për mediat:
Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000
Gjermani: Wolfram Slupina, tel. +49 6483 41 3110
Poloni: Ryszard Jabłoński, tel. +48 608 555 09