28 QERSHOR 2024
REPUBLIKA ÇEKE
Dëshmi publike gjatë kampionatit botëror të hokejit në akull, në Republikën Çeke
Nga data 10 deri më 26 maj 2024, në Republikën Çeke u zhvillua kampionati botëror i Federatës Ndërkombëtare të Hokejit në Akull. Për të ndjekur këtë kampionat, në dy qytetet mikpritëse, në Ostravë dhe Pragë, erdhën rreth 800.000 veta. Gjatë eventit, Dëshmitarët e Jehovait vendosën stenda me literaturë jashtë stadiumeve. Më poshtë mund të lexoni disa eksperienca zemërdhënëse.
Dy të rinj u afruan te një nga stendat tona dhe me mirësjellje pyetën vëllezërit se kush ishin dhe çfarë po bënin atje. Vëllezërit u folën për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait dhe për kursin tonë interaktiv të Biblës. Një nga të rinjtë i pyeti ku dhe kur zhvillohej ky kurs i Biblës. Vëllezërit i treguan se kursi mund të zhvillohej në kohën dhe në vendin që e kishte më për mbarë ai. I riu pranoi të studionte Biblën.
Në një rast tjetër, tre burra folën me vëllezërit tanë dhe u habitën kur morën vesh se Dëshmitarët e Jehovait nuk paguhen për pjesëmarrjen në veprën e predikimit. Një nga burrat i pyeti: «Po nëse nuk merrni pará, çfarë përfitoni nga kjo vepër?» Dëshmitarët u shpjeguan burrave se si mësimet e Biblës ua kanë përmirësuar jetën dhe u kanë dhënë shpresë për të ardhmen. I mahnitur nga shpjegimi i tyre, një nga burrat tha se donte të dinte më shumë dhe kërkoi një broshurë Gëzoje jetën përgjithmonë.
Një burrë tjetër kaloi disa herë pranë stendave. Në fund, ndaloi dhe i pyeti Dëshmitarët: «Çfarë ndryshimi ka mes asaj që besoni ju dhe asaj që mëson kisha ime?» Vëllezërit i shpjeguan shkurtimisht nga Bibla bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Burri i dëgjoi me vëmendje dhe shprehu vlerësim për shpjegimin e tyre të qartë. Pastaj Dëshmitarët i treguan disa veçori të sitit jw.org dhe si mund ta përdorte këtë sit për të mësuar më tepër për Biblën dhe mësimet e saj.
I çmojmë vëllezërit e motrat në Republikën Çeke, që flasin me zell për «lajmin e mirë» me të gjithë ata që duan të dëgjojnë.—Romakëve 10:15.