28 SHTATOR 2023
REPUBLIKA DEMOKRATIKE E KONGOS
Prezantohen Përkthimi Bota e Re i rishikuar në lingale dhe disa libra të Biblës në 6 gjuhë të tjera
Të martën, më 29 gusht 2023, Përkthimi Bota e Re i rishikuar u prezantua në gjuhën lingale. Gjithashtu, pjesë të Përkthimit Bota e Re u prezantuan në gjuhët alure, kinande, kipende, kisonge, kituba dhe në urunde. Vëllai Mark Sanderson, anëtar i Trupit Udhëheqës, i prezantoi këto botime në kongresin rajonal «Prisni me durim!» që u mbajt në Stadiumin e Martirëve në Kinshasë, Republika Demokratike e Kongos. Fizikisht ishin të pranishëm 75.715 veta dhe 219.457 të tjerë e ndoqën programin nëpërmjet lidhjes me video nga 53 Salla Asamblesh dhe ambiente të tjera në territorin e degës. Përkthimi Bota e Re i rishikuar në lingale dhe Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën kisonge u shpërndanë në formatin e shtypur. Botime të shtypura të përkthimeve të tjera do të jenë në dispozicion më vonë. Ndërsa formati elektronik i të gjitha përkthimeve u vu menjëherë në dispozicion. Ja çfarë u prezantua:
Alure (Shkrimet Hebraike: Zanafilla-Jobi, Kënga e Solomonit)
Afro 1.750.000 njerëz flasin alure, kryesisht në Mahagi
1.609 lajmëtarë shërbejnë në 45 kongregacione të gjuhës alure
Dëshmitarët e Jehovait kanë filluar të përkthejnë botime në alure në vitin 2013
Zyra Rajonale e Përkthimit (ZRP) ndodhet në Buni
Kinande (Shkrimet e Krishtere Greke)
Afro 903.000 njerëz flasin kinande në Ituri dhe në Kivunë e Veriut
4.793 lajmëtarë shërbejnë në 78 kongregacione të gjuhës kinande
Dëshmitarët e Jehovait kanë filluar të përkthejnë botime në kinande në vitin 1998
ZRP-ja ndodhet në Butembo
Kipende (Shkrimet Hebraike: Zanafilla, Eksodi, Levitiku, Gjykatësit, Rutha, 1 dhe 2 Samuelit, si dhe Kënga e Solomonit)
Rreth 2 milionë njerëz flasin kipende në provincën e Kasait, Kuangos dhe të Kuajlus
3.349 lajmëtarë shërbejnë në 88 kongregacione të gjuhës kipende
Dëshmitarët e Jehovait kanë filluar të përkthejnë botime në kipende në vitin 1996
ZRP-ja ndodhet në Kikuit
Kisonge (Shkrimet Hebraike: Zanafilla, Eksodi dhe Kënga e Solomonit. Gjithashtu Shkrimet e Krishtere Greke)
Afro 1 milion njerëz flasin kisonge, kryesisht në provincën e Lomamit
1.043 lajmëtarë shërbejnë në 31 kongregacione të gjuhës kisonge
Dëshmitarët e Jehovait kanë filluar të përkthejnë botime në kisonge në vitin 2006
Zyra e përkthimit ndodhet në Kinshasë
Kituba (Shkrimet e Krishtere Greke: Mateu, Marku, Romakëve, 1 dhe 2 Korintasve, Galatasve dhe Filipianëve)
Kituba flitet nga më shumë se 12 milionë njerëz në pjesën jugore të Republikës së Kongos, si dhe në Angolë e në Gabon
2.137 lajmëtarë shërbejnë në 30 kongregacione të gjuhës kituba
ZRP-ja e gjuhës kituba u hap në Puënt-Nuar në vitin 2019
Lingale (Përkthimi Bota e Re i rishikuar)
Mbi 40 milionë njerëz flasin lingale
74.023 lajmëtarë shërbejnë në 1.266 kongregacione të gjuhës lingale
Dëshmitarët e Jehovait kanë filluar të përkthejnë botime në lingale në vitet 60 të shekullit të 20-të
Përkthimi Bota e Re në lingale doli në vitin 2009
Zyra e përkthimit ndodhet në Kinshasë
Urunde (Shkrimet e Krishtere Greke: Mateu, Marku, Romakëve dhe 1 Korintasve)
Afro 153.000 njerëz flasin urunde, kryesisht në provincën e Lualabës
553 lajmëtarë shërbejnë në 19 kongregacione të gjuhës urunde
Dëshmitarët e Jehovait kanë filluar të përkthejnë botime në urunde në vitin 1994
ZRP-ja ndodhet në Koluezi
Këto përkthime të reja e të rishikuara do t’i ndihmojnë shumë vëllezërit e motrat që predikojnë në këto gjuhë. Një lajmëtar që flet gjuhën kituba tha: «Në territor, kemi vënë re se njerëzit nuk para na dëgjonin ngaqë nuk përdornim botime në gjuhën e tyre. Për shembull, kur ua lexonim shkrimet në frëngjisht, nuk i kuptonin. Me këtë përkthim të ri, edhe sikur të mos lexojnë mirë, do të kenë mundësi ta dëgjojnë Fjalën e Perëndisë në gjuhën e tyre e të nxjerrin dobi prej saj.» Ndërsa një lajmëtar tjetër u shpreh kështu për dobitë e Përkthimit Bota e Re të rishikuar në lingale: «Kjo Bibël ka një gjuhë shumë të qartë. Në shërbim do të ndihemi sikur po ndajmë xhevahire me njerëzit.»
Me siguri Jehovai do t’i bekojë vëllezërit e motrat kur t’i përdorin këto përkthime me njerëzit që po ‘kërkojnë me ngulm ta dëgjojnë fjalën e Perëndisë’.—Veprat 13:7.