Kalo te përmbajtja

24 QERSHOR 2020
REPUBLIKA DEMOKRATIKE E KONGOS

Territori i degës së Kongos (Kinshasë) përballet me pandeminë, përmbytje dhe konflikte të armatosura

Territori i degës së Kongos (Kinshasë) përballet me pandeminë, përmbytje dhe konflikte të armatosura

Gjatë pandemisë së koronavirusit, vëllezërit e motrat në disa zona të Republikës Demokratike të Kongos dhe të Republikës së Kongos po vuajnë edhe pasojat e përmbytjes dhe të konfliketeve të armatosura. Dega e Kongos (Kinshasë), që mbikëqyr veprën e predikimin në të dyja këto vende, ka marrë masa që vëllezërit e motrat të kenë ndihmë materiale dhe inkurajim nga Bibla. Në gjithë territorin e degës, janë formuar 57 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK), që t’u vijnë në ndihmë vëllezërve. Deri tani më shumë se 90.000 vëllezër e motra kanë marrë ushqime.

Më 16 dhe 17 prill 2020, provincat në lindje të Republikës Demokratike të Kongos u përmbytën si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm. 139 lajmëtarë u shpërngulën nga shtëpitë dhe janë strehuar në shtëpitë e vëllezërve dhe të motrave në besim. KNRK-të e kësaj zone po përpiqen t’i sistemojnë përkohësisht ose një herë e mirë nëpër shtëpi vëllezërit e shpërngulur.

Vëllezërit e motrat i kanë mbështetur bujarisht përpjekjet e KNRK-ve. Në një zonë u grumbulluan 700 kg banane, 400 kg misër dhe 220 kg kasava dhe gjethe kasave.

Gjithashtu, 60 lajmëtarë të «Kongregacionit thuajse 26 km» strehuan 50 vëllezër të shpërngulur nga zonat e prekura rëndë nga konfliktet. Vëllezërit ndanë bukën e gojës me vëllezërit që mirëpritën në shtëpi, derisa KNRK-ja u erdhi në ndihmë me ushqime të tjera.

Një kryefamiljar në Brazavil, kryeqyteti i Republikës së Kongos, e shprehu kështu përjetimin e tij pasi mori ndihmën: «Jeta mund të ndryshojë sa hap e mbyll sytë. Me rrogën modeste që kisha dhe me punën sezonale të gruas, ia dilnim të siguronim gjërat bazë. Por, kur filloi pandemia, nuk kishim më asnjë të ardhur. Ama nuk e humbëm besimin te Jehovai. Ndërsa po flisnim çfarë do të bënim kur të mos kishim më ç’të hanim, Jehovai na erdhi në ndihmë.»

Edhe motër Mbui Ester, vejushë nga qyteti i Kinshasës, u shpreh në mënyrë të ngjashme: «Burri më vdiq një muaj më parë, dhe kisha jashtëzakonisht nevojë për ndihmë. Kam tre fëmijë për të ushqyer, por asnjë burim të ardhurash. Familjarët e mi kurrë nuk do t’ia kishin dalë të grumbullonin kaq shumë ushqime, sa të hanim për ditë të tëra. Faleminderit, o Jehova!»

Lutemi që Jehovai të vazhdojë të kujdeset për vëllezërit e motrat, si dhe t’i bekojë përpjekjet e komiteteve të ndihmës. Mezi presim kohën kur kushdo do të shijojë prodhimin e bollshëm të tokës.—Psalmi 72:16.