Kalo te përmbajtja

25 KORRIK 2017
REPUBLIKA DEMOKRATIKE E KONGOS

Dëshmitarët e Jehovait u japin ndihma humanitare viktimave të konflikteve të armatosura në Kongo

Dëshmitarët e Jehovait u japin ndihma humanitare viktimave të konflikteve të armatosura në Kongo

Belinda (mbiemri nuk tregohet për arsye sigurie) dhe tre fëmijët e saj në një spital në Dundo, Angolë. Burrin ia kanë vrarë në Kongo, kurse një nga vajzat e saj është zhdukur. Belinda dhe vajza e saj 2-vjeçare, Ritinha, u plagosën nga një shotgun, dhe si rrjedhojë, vajzës i është dashur t’i presin këmbën. Një vajzë tjetër u plagos gjatë një sulmi me hanxhar

KINSHASË, Kongo—Dëshmitarët e Jehovait po u japin ndihma dhe inkurajim nga Shkrimet bashkëbesimtarëve të prekur nga dhuna që ka mbjellë terror në rajonin e Kasait në Republikën Demokratike të Kongos. Shpërthimi i menjëhershëm i konflikteve etnike, përplasja mes milicive të armatosura dhe trazirat civile në Kongo kanë provokuar një krizë refugjatësh prej më se 1,3 milionë vetash, përfshirë mbi 30.000 veta që ia kanë mbathur nga Kasai, në Angolën fqinje. Shumë nga refugjatët i kanë sulmuar brutalisht, dhe me të mbërritur në Angolë kishin nevojë për trajtim mjekësor për djegiet ose plagët e thella nga hanxharët e plumbat. Sipas raporteve të kohëve të fundit, mbi 870 nga refugjatët në Angolë janë Dëshmitarë të Jehovait dhe fëmijët e tyre të vegjël, dhe të paktën 10 prej tyre janë plagosur. Mjerisht, në bazë të raporteve të deritanishme, janë vrarë 22 Dëshmitarë të Jehovait.

Një përfaqësues i zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Angolë viziton një grup pleqsh të krishterë nga Angola dhe Kongo, disa prej të cilëve janë refugjatë

«Na trishton numri i madh i viktimave në këto luftime, veçanërisht kur disa nga këto viktima janë fëmijë shumë të vegjël»,—thotë Robert Elongo, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në zyrën e tyre të degës në Kinshasë. «Disa i kanë sulmuar thjesht ngaqë u gjendën pranë një zone ku kishte shpërthyer një konflikt i dhunshëm. Jemi në merak të madh për sigurinë e bashkadhuruesve tanë dhe i kemi nxitur të tregohen të kujdesshëm. Bashkë me zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Angolë, po bëjmë çmos t’u sigurojmë ndihmën e nevojshme nga ana materiale, emocionale dhe sidomos t’u japim inkurajim nga Shkrimet.»

Refugjatë që ia kanë mbathur në pyll për t’u shpëtuar konflikteve të armatosura në Kongo, ndërtojnë një kasolle

Dëshmitarët e Jehovait në Angolë dhe në Kongo kanë ngritur komitete për raste katastrofash që të organizojnë ndihmën tejet të madhe e të vazhdueshme. Refugjatëve u janë dërguar mbi 34 tonë materiale të dhuruara, përfshirë shtroja, veshmbathje, ushqime, rrjeta kundër mushkonjave, këpucë dhe 525 kilogramë furnizime mjekësore. Në kampet e refugjatëve ka shkuar edhe një mjek Dëshmitar i Jehovait, që të kujdeset për 135 persona që kanë nevojë urgjente për trajtim mjekësor.

Për më tepër, refugjatët i kanë vizituar edhe përfaqësues të zyrës së degës në Angolë dhe në Kongo, që t’u japin inkurajim nga Shkrimet, duke mbajtur edhe mbledhje speciale me fjalime biblike posaçërisht për nevojat e tyre. Megjithëse gjuha kryesore në Angolë është portugalishtja, janë marrë masa në dobi të refugjatëve që mbledhjet fetare të mbahen në gjuhën tshilube, një nga katër gjuhët kryesore në Kongo, siç tregohet në fotografinë e parë lart.

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait organizon ndihma në rast katastrofash nga selia botërore në Uoruik, Nju-Jork, duke përdorur fonde të dhuruara për veprën mbarëbotërore të arsimimit biblik.

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Angolë: Tod Pekami, +244-923-166-760

Republika Demokratike e Kongos: Robert Elongo, +243-81-555-1000