4 SHTATOR 2017
REPUBLIKA E AFRIKËS QENDRORE
Dëshmitarët në Republikën e Afrikës Qendrore largohen për shkak të konflikteve të armatosura
DUALË, Kamerun—Dhuna gjithnjë e në rritje për arsye etnike dhe fetare, në disa pjesë të Republikës së Afrikës Qendrore, i ka detyruar Dëshmitarët e Jehovait të ikin në vendet fqinje të Kamerunit dhe të Republikës Demokratike të Kongos. Bashkëbesimtarët në këto vende i kanë mirëpritur dhe janë kujdesur për ta.
Pas shpërthimit të një vale dhune më 13 korrik 2017, rreth 15 Dëshmitarë të Jehovait bashkë me familjet, përfshirë një të sapolindur, u vendosën në fshatin Mbai-Mbum në lindje të Kamerunit. Javën pasuese, për shkak të një konflikti tjetër ku grupe të armatosura dogjën disa shtëpi, rreth 60 Dëshmitarë të Jehovait nga Bangasu, qytet në Republikën e Afrikës Qendrore, kaluan kufirin dhe u strehuan te bashkëbesimtarët në qytetin Ndu, në Republikën Demokratike të Kongos.
Zhan-Bernard Fajanga, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën e Afrikës Qendrore, u shpreh: «Jemi shumë të kënaqur që asnjë nga motrat e vëllezërit nuk ka humbur jetën në këto konflikte. Ndërkohë po punojmë ngushtësisht me zyrat e degëve në Kamerun dhe në Kongo për të organizuar në këtë rajon komitete ndihme në rast katastrofash, që bashkadhuruesit të kenë ujë të pijshëm, ushqim, strehim të përshtatshëm, si edhe inkurajim nga Shkrimet.»
Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait organizon ndihma në rast katastrofash nga selia botërore, duke përdorur fonde të dhuruara për veprën mbarëbotërore të predikimit.
Zëdhënësit për mediat:
Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000
Kamerun: Xhills Mba, +237-6996-30727
Republika e Afrikës Qendrore: Zhan-Bernard Fajanga, +236-7575-1605