Kalo te përmbajtja

22 PRILL 2014
RUSI

Qytetarët rusë ndiqen penalisht për shkak të besimit

Qytetarët rusë ndiqen penalisht për shkak të besimit

Për herë të parë në Rusinë e sotme, 16 Dëshmitarë të Jehovait * në Taganrog po ndiqen penalisht vetëm ngaqë mblidhen paqësisht për të adhuruar Perëndinë dhe ngaqë praktikojnë besimin e tyre. * Nëse shpallen fajtorë, mund t’i gjobitin deri në 300.000 rubla (10.000 dollarë) ose në disa raste mund t’i burgosin deri në tetë vjet. Të 16 Dëshmitarët i kanë urdhëruar të mos largohen nga qyteti Taganrog derisa gjykata të marrë një vendim.

Shtypja ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog nisi në qershor 2008 kur prokurori i rajonit të Rostovit ngriti një padi që të mbyllej e të ndalohej organizata fetare e Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog. Ai pohoi edhe se literatura fetare e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait përdor gjuhë ekstremiste. Gjykata e shkallës së parë e miratoi kërkesën e prokurorit dhe më 8 dhjetor 2009 Gjykata e Lartë e Federatës Ruse e mbështeti këtë vendim.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, autoritetet vendore konfiskuan Sallën e Mbretërisë (vendin e adhurimit) të Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog, duke i detyruar Dëshmitarët të mblidheshin për të adhuruar në shtëpi private. Gjithashtu, gjykata i urdhëroi autoritetet t’i shtonin 34 botime të Dëshmitarëve të Jehovait në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste. Dëshmitarët e Jehovait po i kundërshtojnë këto vendime dhe kërkojnë drejtësi nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Autoritetet në Taganrog i kanë përdorur këto vendime si autorizim që t’u bien në qafë Dëshmitarëve e t’i terrorizojnë. Më 2011, policët hynë në 19 shtëpi të Dëshmitarëve që në 6.00 të mëngjesit. Zgjuan nga gjumi familje, përfshirë të moshuar e fëmijë, dhe kontrolluan 8-11 orë për literaturë gjoja ekstremiste. Policët konfiskuan arbitrarisht gjithë botimet fetare dhe morën sende personale. Autoritetet vendore filmuan fshehtas mbledhjet fetare dhe pjesëmarrësit në to me qëllim që t’i paditnin. Ngjarjet në Taganrog u hapën rrugën një fushate të mbështetur nga shteti për t’u rënë në qafë e për t’i keqtrajtuar Dëshmitarët e Jehovait në mbarë Rusinë. *

Dëshmitarët e Jehovait janë një fe e njohur në shkallë botërore. Kushtetuta e Rusisë dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut garantojnë lirinë e fesë. Gjykatat e larta përreth botës e kanë konfirmuar këtë të drejtë që u përket Dëshmitarëve të Jehovait. Prapëseprapë, qeveritarët në Taganrog veprojnë sikur Dëshmitarëve nuk u takon kjo e drejtë.

Procesi penal është ende i hapur dhe pritet një vendim në maj pasi gjykata të dëgjojë komentet përfundimtare. Nëse gjykata vendos t’i shpallë fajtorë këta 16 Dëshmitarë, do të rrezikohet liria e më shumë se 800 Dëshmitarëve të Jehovait në Taganrog. Kjo mund të shërbejë edhe si precedent për çështje penale të lëna pezull kundër Dëshmitarëve në rajone të tjera të Rusisë.

Grigory Martynov, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, deklaroi: «Kjo shkelje e lirisë fetare nuk është e përligjur. Dëshmitarët e Jehovait nuk përbëjnë asnjë kërcënim për unitetin dhe sigurinë e Federatës Ruse. Atyre u bien në qafë dhe i diskriminojnë vetëm ngaqë janë Dëshmitarë të Jehovait.»

^ par. 2 Në fotografinë lart paraqiten vetëm 10 nga këta të 16-të.

^ par. 2 Autoritetet ruse ngritën akuza kundër 16 Dëshmitarëve më 2012 sipas nenit 282.2(1) dhe (2) të Kodit Penal të Federatës Ruse, që mund të çojë në dënim deri në tre vjet burg. Janë ngritur akuza edhe kundër katër pleqve kongregacioni sipas nenit 150(4) të Kodit Penal, që mund të çojë në burgim nga 5 në 8 vjet.

^ par. 5 Që nga vendimi i marrë më 8 dhjetor 2009 nga Gjykata e Lartë e Federatës Ruse, policët kanë arrestuar mbi 1.600 Dëshmitarë, kanë ndaluar si «ekstremiste» më se 70 botime të tyre fetare, kanë bastisur e kontrolluar mbi 171 shtëpi të Dëshmitarëve e vende adhurimi dhe kanë prishur ose ndërprerë 69 mbledhje fetare.