7 GUSHT 2019
RUSI
Agjentët rusë bastisin mbi 600 shtëpi të Dëshmitarëve
Gjatë 18 muajve të fundit, policia dhe agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (SHSF) në Rusi kanë bastisur 613 shtëpi të vëllezërve dhe të motrave tona. Që nga janari 2019 autoritetet kanë bastisur 332 shtëpi, duke kaluar numrin prej 281 shtëpish në 2018-n.
Sidomos muajt e fundit autoritetet i kanë përndjekur edhe më shumë vëllezërit tanë. Në qershor pati 71 bastisje dhe në korrik 68, shifër kjo goxha e lartë krahasuar me 23 bastisje në muaj gjatë vitit 2018.
Bastisjet kanë ndodhur pak a shumë kështu: forca sigurimi të maskuara dhe të armatosura rëndë futeshin me dhunë në shtëpi ose apartamente. Me raste u drejtonin armët Dëshmitarëve, mes tyre edhe fëmijë e të moshuar, sikur të ishin kriminelë të regjur. Prandaj nuk çuditemi që edhe disa ekspertë bien dakord me fjalët e dr. Derek Davisit, ish-drejtor i Baylor University’s J.M. Dawson Institute of Church-State Studies, që tha: «Duket qartë se përndjekja e egër e Rusisë ndaj një grupi paqësor siç janë Dëshmitarët e Jehovait është ‘ekstreme’.»
Mjerisht, siç po rritet numri i bastisjeve, po shtohen edhe ndjekjet penale kundër vëllezërve. Deri tani 244 vëllezër dhe motra po ndiqen penalisht në Rusi dhe në Krime. Ky numër është më shumë se dyfishi i ndjekjeve penale të dhjetorit të 2018-s kur kishte vetëm 110 çështje të hapura. Nga 244 Dëshmitarët që po përndiqen, 39 janë në burg, 27 në arrest shtëpie dhe mbi 100 të tjerëve u kanë vendosur kufizime.
Edhe pse autoritetet ruse po i sulmojnë vëllezërit dhe motrat, ‘nuk lëkundemi nga këto shtrëngime’. Përkundrazi, inkurajohemi kur marrim vesh që bashkëbesimtarët po tregojnë qëndrueshmëri dhe besnikëri. Ndaj e lëvdojmë dhe e falënderojmë Jehovain që po u përgjigjet lutjeve tona të shumta për ta dhe jemi të sigurt që do të vazhdojë ta bëjë këtë.—1 Selanikasve 3:3, 7.