Kalo te përmbajtja

Policia e rajonit dhe oficerë nga Shërbimi i Sigurimit Federal (FSB) bastisin shtëpinë e një prej vëllezërve tanë në Nizhni Novgorod në vitin 2019

15 KORRIK 2020
RUSI

Autoritetet ruse bastisin 110 shtëpi të vëllezërve tanë

Autoritetet ruse bastisin 110 shtëpi të vëllezërve tanë

Më 13 korrik 2020, sipas lajmeve zyrtare, policë të armatosur rëndë bastisën 110 shtëpi të vëllezërve tanë në rajonin e Voronezhit. Kjo është bastisja më e madhe brenda një dite ndaj Dëshmitarëve të Jehovait që nga viti 2017. Dy vëllezër, Aleksandër Bokovin dhe Dmitri Katirovin, i rrahën dhe i poshtëruan ngaqë refuzuan t’u jepnin policëve fjalëkalimet e celularëve të tyre.

Gjykata e Krahinës së Leninskit në Voronezh urdhëroi të gjitha bastisjet. Policët bastisën shtëpi në të paktën 7 qytete, qyteza dhe fshatra të rajonit. Disa nga vëllezërit tanë i çuan në zyrat vendëse të Komitetit Hetues, për t’i marrë në pyetje.

Ditën tjetër, më 14 korrik 2020, Gjykata e Krahinës së Leninskit mori vendimin që këta 10 vëllezër të mbahen në paraburgim deri më 3 shtator 2020: Aleksei Antiukini, 44 vjeç, Sergei Bajevi, 47 vjeç, Juri Galka, 44 vjeç, Valeri Gurski, 56 vjeç, Vitali Nerushi, 41 vjeç, Stefan Pankratovi, 24 vjeç, Igor Popovi, 54 vjeç, Evgeni Sokolovi, 44 vjeç, Mihail Veselovi, 51 vjeç dhe Anatoli Jagupovi, 51 vjeç.

Edhe pse në lajmin zyrtar u raportuan 110 shtëpi të bastisura, deri më tani kemi konfirmimin e 100 familjeve të Dëshmitarëve se u kanë kontrolluar shtëpitë dhe pronat. Ky numër mund të rritet. Është e vështirë të kontaktojmë të gjithë vëllezërit e përfshirë, sepse gjatë bastisjeve u kanë konfiskuar telefonat dhe kompjuterët.

Bastisja më e madhe para kësaj të fundit ka qenë ajo e datës 10 shkurt 2020, kur autoritetet bastisën brenda një dite 50 shtëpi të Dëshmitarëve në Territorin e Transbaikalit. Që nga vendimi i Gjykatës së Lartë në vitin 2017 kanë bastisur 1.000 shtëpi të vëllezërve tanë.

Në përputhje me profecitë e Biblës, ne nuk habitemi nga sprovat e ashpra ndaj vëllezërve tanë në Rusi dhe në vende të tjera. Vazhdojmë të lutemi për ta duke e ditur se Jehovai do t’u japë frymën e shenjtë që u nevojitet, që të qëndrojnë besnikë.—1 Pjetrit 4:12-14, 19.