Kalo te përmbajtja

Nga e majta: vëlla Ivan Pujda pas hekurave në një sallë gjyqi, babai i tij, vëlla Grigori Pujda, dhe gjyshi i tij, vëlla Pjotër Parceji

14 TETOR 2020
RUSI

Besnikë prej tre brezash përballë përndjekjeve

Besnikë prej tre brezash përballë përndjekjeve

Vëlla Ivan Pujda po përballet plot guxim me një çështje penale kundër tij, duke marrë forcë nga shembujt e babait dhe të gjyshit

Vëlla Ivan Pujda e kujton me nostalgji kohën kur i ati, Grigori, kthehej mbrëmjeve në shtëpi dhe u lexonte librin Libri im i tregimeve biblike, atij dhe shtatë vëllezërve e motrave të tij. Kujton mjaft mirë edhe kohën kur predikonte me të në fshatin e tyre të vogël, Kvitok. Bashkë me babanë, Ivani i vizitonte rregullisht mësuesit dhe shokët e klasës që t’u fliste për të vërtetën. Kur ishte adoleshent, predikonte në territore të pacaktuara me gjyshin nga ana e mamasë, vëlla Pjotër Parcejin. Në ato raste, Ivani vërente nga afër zellin e gjyshit për shërbimin dhe frymën e tij vetëmohuese.

Veç kësaj, ai i shihte shpesh edhe babanë, edhe gjyshin të lexonin Biblën dhe botimet e bazuara në të, dhe kështu vendosi të ndiqte shembullin e tyre në jetë.

Mirëpo, tani që është 41 vjeç, vëlla Pujda nuk e priste që do ta ndiqte shembullin e tyre edhe në një mënyrë tjetër: njësoj si ata, do të arrestohej e do të futej në burg ngaqë është Dëshmitar i Jehovait. Më 30 maj 2018, e arrestuan agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal dhe qëndroi në burg për katër muaj. Pasi doli nga burgu, qëndroi edhe gjashtë muaj në arrest shtëpie. Gjyshi i tij, vëlla Parceji, ishte arrestuar dhe burgosur më parë si nga regjimi nazist, ashtu edhe nga regjimi sovjetik. Po njësoj, i ati, vëlla Grigori Pujda, ishte burgosur nga autoritetet në Bashkimin Sovjetik.

Vëlla Ivan Pujda thotë: «Te 2 Timoteut 3:14, apostulli Pavël shkroi: ‘Vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje, duke ditur se prej kujt i mësove.’ Marr forcë kur mendoj se nga cilët e kam mësuar të vërtetën. As qeveritë, as burgu nuk arritën t’i gjunjëzonin babanë dhe gjyshin. Dhe tek e fundit, përndjekja nuk do të zgjasë gjithë jetën. Jetoj sipas asaj që më kanë mësuar, duke u përpjekur të ndjek gjurmët e tyre. E di se për sa kohë t’i qëndroj besnik Jehovait, ai do të më shpërblejë.» Vëlla Pujda është në pritje të vendimit të gjykatës për çështjen e tij.

Ai kujton se kur gjyshi dhe babai i tij tregonin histori nga burgu, nuk flisnin kurrë për kushtet e vështira atje. Përkundrazi, flisnin për eksperiencat që kishin pasur kur u predikonin të tjerëve lajmin e mirë.

Grigori, që tani është 64 vjeç, u pagëzua në vitin 1975 pasi ishte dënuar një vit në një kamp pune sovjetik, ngaqë nuk kishte pranuar të kryente shërbimin ushtarak. Atë e liruan në vitin 1977, por më vonë, në 1986-n, bëri edhe një vit burg, sepse mbante literaturë nga Bibla, e cila ishte e ndaluar. Babai i Grigorit, që po ashtu quhej Ivan, vuajti dënimin në një kamp pune nga 1944-a deri në 1950-n për shkak të asnjanësisë.

Grigori tregon: «Ajo që më ndihmoi t’i duroja përndjekjet ishte besimi i fortë që kisha zhvilluar. Nuk kam dyshuar për asnjë çast që po ecja në të vërtetën dhe që Jehovai është Perëndia i vërtetë.»

Tani që djali i tij, Ivani, po përjeton të njëjtën gjë, Grigori thotë: «Kujtoj atë që ndodhte gjatë regjimit sovjetik dhe shoh që historia përsëritet. Prandaj lutem që Ivani të qëndrojë besnik gjatë kësaj sprove dhe, me anë të qëndrueshmërisë së tij, të shenjtërojë emrin e Jehovait.»

Kurse gjyshin e Ivanit, vëlla Parcejin, që ka vdekur prej kohësh, në vitin 1943 nazistët e çuan në kampin e përqendrimit të Mejdenekut dhe më pas të Ravensbrukut, ngaqë nuk kishte pranuar të firmoste disa dokumente ku kërkohej të hiqte dorë nga besimi i tij. Ai u lirua nga forcat aleate në vitin 1945. Më vonë, në vitin 1952, e arrestuan dhe e dënuan me vdekje. Megjithatë, dënimi u ndryshua, dhe ai u la i lirë në vitin 1956. Vëlla Parceji u arrestua edhe një herë tjetër për shkak të besimit në 1958-n dhe u la i lirë në 1964-n.

Ivani thotë: «Integriteti që tregoi gjyshi më ka dhënë shumë zemër. Kur të ringjallet, do t’i them se kalova sprova të ngjashme me të tijat dhe se shembulli i tij më motivoi të qëndroja besnik dhe guximtar.»

Më pas shton: «Askush nuk mund të ma rrëmbejë besimin që kam te Perëndia im Jehova dhe dashurinë që ndiej për të. U kam thënë vazhdimisht hetuesve: ‘E shumta që mund të bëni, është të më arrestoni dhe të më futni në burg, por për gjërat e tjera jeni totalisht të pafuqishëm.’»

Çfarë i ndihmoi vëllezërit tanë të dashur që t’u bënin ballë sprovave?

Ivani thotë: «Te Veprat 14:22, lexojmë: ‘Duhet të hyjmë në Mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime.’ Të gjithë Dëshmitarët do të përballen me sprova. Kjo nuk do të thotë medoemos se do të shkojnë në burg. Mund të përballen me një sëmundje ose me vdekjen e një njeriu të shtrenjtë. Gjithçka varet nga qëndrimi ynë dhe nga miqësia e fortë me Jehovain. Jehovai është gjithnjë gati për t’i mbështetur shërbëtorët e tij.»

Babai i tij, Grigori, shprehet: «Forco marrëdhënien tënde me Jehovain. Bëhu mik i ngushtë me të. Veç kësaj, është e rëndësishme të bindesh se ke të vërtetën. Atëherë do të jesh gati të bësh çdo sakrificë për të, dhe pa dyshim që do të shpërblehesh për përpjekjet e tua.»

Inkurajohemi jashtë mase kur shohim si i ka mbështetur Jehovai vëllezërit e motrat që janë përndjekur për shkak të besimit. Lutemi pareshtur për vëllezërit tanë në Rusi, që të vazhdojnë të tregojnë guxim dhe të marrin forcë nga premtimi i Jehovait: «Mos ki frikë . . . Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh.»—Zanafilla 15:1.