21 SHKURT 2019
RUSI
Dëshmitarë të Jehovait torturohen në Surgut të Rusisë
Vetëm 9 ditë pas dënimit të padrejtë të Denis Kristensenit nga një gjykatë në Rusi, të paktën 7 Dëshmitarë të Jehovait janë torturuar me elektroshok, asfiksim dhe me dhunë fizike nga autoritetet ruse të qytetit të Surgutit, në perëndim të Siberisë. Teksa policët torturonin vëllezërit tanë, u kërkonin vendet ku i mbanin mbledhjet dhe emrat e Dëshmitarëve të tjerë.
E gjithë kjo nisi shpejt në mëngjes, më 15 shkurt 2019, kur autoritetet e Surgutit bastisën shtëpitë e vëllezërve. Pasi arrestuan disa Dëshmitarë dhe i çuan në zyrat e Komitetit Hetues, filluan t’i merrnin në pyetje. Vëllezërit refuzuan të jepnin të dhëna për bashkëbesimtarët. Kur i vetmi avokat i pranishëm u largua, viktimat raportojnë çfarë ndodhi më pas: agjentët u vunë qese në kokë dhe i mbyllën me skoç, u lidhën duart mbrapa dhe i rrahën. Pasi i zhveshën dhe i lagën me shumë ujë, agjentët i goditën me armë me elektroshok. Kjo torturë sadiste zgjati rreth 2 orë.
Për momentin, 3 Dëshmitarë janë ende të burgosur. Ata që u liruan, kërkuan trajtim mjekësor për dëmtimet dhe ngritën akuza në organet përkatëse.
Për më tepër, pas bastisjeve të shumta, autoritetet ruse paditën penalisht 19 Dëshmitarë të Jehovait për të ashtuquajturën «pjesëmarrje në veprimtari ekstremiste» dhe «organizim të një organizate ekstremiste».
Këto abuzime të rënda të autoriteteve dënohen nga Kodi Penal i Rusisë. Gjithashtu pritet që Federata Ruse t’u bindet ligjeve që organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë vendosur për të mbrojtur individët nga torturat. Prandaj do të ndjekim çdo rrugë ligjore të disponueshme, në Rusi dhe në gjykatat ndërkombëtare, kundër këtij krimi.
Tek e fundit, e dimë se Jehovai e ka parë persekutimin që u është bërë vëllezërve tanë në Rusi dhe do të veprojë si ‘ndihmësi dhe shpëtimtari’ i tyre.—Psalmi 70:5.