Kalo te përmbajtja

Nga e majta: vëllezërit Aleksej Budençuku, Aleksej Miretski, Feliks Mahamadievi, Ginadi Germani dhe Roman Gridasovi

24 SHKURT 2020
RUSI

Dëshmitarët u vijnë në ndihmë bashkëbesimtarëve të keqtrajtuar në burgjet e Rusisë

Dëshmitarët u vijnë në ndihmë bashkëbesimtarëve të keqtrajtuar në burgjet e Rusisë

Pas lajmit se rojat e burgut rrahën keqas 5 vëllezër në Orenburg, Rusi, Dëshmitarët e këtij qyteti shkuan menjëherë në burg për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve. Dëshmitarët e burgosur, Aleksej Budençuku, Ginadi Germani, Roman Gridasovi, Feliks Mahamadievi dhe Aleksej Miretski janë nga Saratovi—mbi 800 kilometra larg Orenburgut.

Vëllai Feliks Mahamadievi duke buzëqeshur, gati dy javë pasi rojat e burgut e rrahën mizorisht. Mban veshur një xhaketë që i mbulon plagët

Më 15 shkurt 2020, në sit doli lajmi se rojat e burgut të kampit të punës nr. 1 në Orenburg i rrahën me shkopinj gome 5 vëllezërit nga Saratovi. Pasi lexuan lajmin, një grup me vëllezër e motra shkuan në kampin e punës. Plot guxim u identifikuan si Dëshmitarë të Jehovait, duke vënë kështu në rrezik lirinë e tyre. Ata u kërkuan oficerëve në detyrë informacione mbi gjendjen e 5 vëllezërve. Meqë në lajm thuhej se vëlla Mahamadievi kishte marrë goditjet më të rënda dhe ishte shtruar në spital, vëllezërit nga Orenburgu donin që oficerët t’i siguronin se ai ishte gjallë. Kjo bisedë zgjati gati 2 orë.

Përveç kësaj, vëllezërit në Orenburg organizuan një grup për t’u siguruar ndihmë të vazhdueshme vëllezërve të burgosur, grave të tyre dhe avokatëve që i mbrojnë. U shkruajnë shpesh letra inkurajuese, e madje kanë dhuruar para që vëllezërit të kenë ushqime më të shëndetshme se ato që ofron burgu.

Kjo dashuri dhe frymë vetëmohuese e vëllezërve e motrave u ka dhënë një dëshmi të fuqishme punonjësve të burgut. Po e shohin me sytë e tyre sa shumë interesohen Dëshmitarët e Jehovait për bashkëbesimtarët—madje edhe për ata që jetojnë qindra kilometra larg e që s’i kanë takuar më parë.

Marrim zemër kur shohim se vëllezërit tanë po zbatojnë këshillën e Biblës të Hebrenjve 13:3: «Kujtoni ata që janë në burgje, sikur të ishit të burgosur me ta, dhe ata që keqtrajtohen, meqë edhe ju vetë jeni prej mishi e gjaku.»