10 QERSHOR 2020
RUSI
Dhjetë vjet pas vendimit historik të GJEDNJ-së, Rusia ende shkel ligjin ndërkombëtar
Fiks 10 vjet më parë, 10 qershor 2010, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) shpalli se autoritetet ruse kishin shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut për Dëshmitarët e Jehovait, duke u përpjekur për vite të tëra t’u privonin lirinë e besimit. Vendimi i GJEDNJ-së e urdhëronte Rusinë ta riregjistronte dhe t’i paguante një gjobë të majme Organizatës Fetare Lokale të Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë, organizatë që autoritetet e kishin çregjistruar në vitin 2004.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, vëlla Ivan Çajkovski, në atë kohë drejtues i komunitetit të Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë, tha: «Vendimi i GJEDNJ-së tregon se arsyetueshmëria fiton mbi intolerancën fetare. Shpresoj që, me këtë vendim, autoritetet të na rikthejnë të drejtat ligjore dhe t’i japin fund përndjekjes së qeverisë kundër Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë vendin.»
Por ky optimizëm nuk zgjati shumë, ngaqë autoritetet ruse jo vetëm që nuk iu përmbajtën kushteve të vendimit të GJEDNJ-së, por edhe e intensifikuan përndjekjen kundër vëllezërve tanë në mbarë federatën. Persekutimi u bë edhe më i egër kur Gjykata e Lartë Ruse ndaloi adhurimin tonë paqësor më 2017, padrejtësi që ka shkaktuar arrestime, gjyqe dhe burgosje të shumta.
Edhe pse kanë kaluar 10 vjet, një pjesë e madhe e vendimit të GJEDNJ-së është akoma e vlefshme. Më 2010, GJEDNJ-ja hodhi poshtë kategorikisht shumë akuza të pabaza që Rusia vazhdon të ngrejë edhe sot e kësaj dite kundër besimtarëve tanë paqësorë.
Me pak fjalë, GJEDNJ-ja tha se Departamenti i Drejtësisë i Moskës dhe gjykatat e Moskës nuk kishin «asnjë bazë ligjore» që të refuzonin riregjistrimin e Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo i kritikoi autoritetet e Moskës dhe tha se «nuk ishin treguar asnjanës dhe të drejtë, ashtu siç duhej të ishin». Gjithashtu pohoi se autoritetet e Moskës ishin fajtore për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku bën pjesë edhe Rusia.
Në 2020-n, ashtu si në 2010-n, përndjekja sistematike e Rusisë kundër vëllezërve tanë nuk ka kaluar pa u vënë re. Rejçëll Denbëri, zëvendësdrejtoreshë e Evropës dhe Azisë Qendrore për Human Rights Watch, tha: «Që Dëshmitarët e Jehovait në Rusi të praktikojnë besimin, do të thotë të rrezikojnë lirinë.» Në një deklaratë të datës 9 janar 2020, ajo shtonte: «Nuk ka absolutisht asnjë arsye të vlefshme që kjo të ndodhë.»
Përballë kësaj padrejtësie, lutemi plot besim që Jehovai të vazhdojë t’i forcojë vëllezërit e motrat në Rusi, që ‘të përballojnë çdo gjë me durim e gëzim’.—Kolosianëve 1:11.