Kalo te përmbajtja

Nga e majta: motrat Natalia Sorokina dhe Maria Troshina

17 SHKURT 2021
RUSI

Dy motra në Rusi rrezikojnë të shpallen fajtore pasi kalojnë gati një vit në paraburgim dhe në arrest shtëpie

Dy motra në Rusi rrezikojnë të shpallen fajtore pasi kalojnë gati një vit në paraburgim dhe në arrest shtëpie

PËRDITËSIM | Një gjykatë ruse hedh poshtë apelimin

Më 15 shtator 2021, Gjykata e Krahinës së Smolenskut hodhi poshtë apelimin e motrave Sorokina dhe Troshina. Kështu mbeten në fuqi dënimet e tyre fillestare. Për momentin nuk do të futen në burg.

Më 22 prill 2021 Gjykata e Krahinës së Smolenskut dënoi me 6 vite vënie në provë motrat Natalia Sorokinën dhe Maria Troshinën.

Të dhëna

Natalia Sorokina

  • Lindur: 1975 (Dresden, Gjermani)

  • Biografia: Nga Gjermania u transferua në Shën-Pjetërburg dhe më vonë në Siçiovkë në rajonin e Smolenskut. Punon si infermiere. I pëlqen të merret me punime dore dhe të mësojë gjuhë të huaja, që të ketë mundësi t’u predikojë më shumë njerëzve. Pasi filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, i bëri shumë përshtypje ajo që mësoi për krijimin dhe për shpresën që shtrihet para njerëzimit. Kjo i zgjoi dëshirën që t’i shërbente sa më shumë Perëndisë. U pagëzua në gusht të vitit 1994

Maria Troshina

  • Lindur: 1977 (Shën-Pjetërburg)

  • Biografia: Që në fëmijëri e ka tërhequr shumë historia. Ka punuar si cicerone. I pëlqen të mësojë gjuhë të huaja për t’u folur rreth Biblës sa më shumë njerëzve

    Pasi filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, i bëri shumë përshtypje saktësia historike dhe shkencore e Biblës. Ia kushtoi jetën Perëndisë Jehova në korrik të vitit 1991. Edhe e ëma, që tani nuk jeton më, studioi Biblën dhe u pagëzua

Historiku i çështjes

Më 7 tetor 2018, agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) dhe policë vendës bastisën katër shtëpi në Siçiovkë. FSB-ja konfiskoi gjëra personale të 17 vëllezërve e motrave, përfshirë të disa të miturve. Motrat Natalia Sorokina dhe Maria Troshina i arrestuan dhe i futën në një burg të përkohshëm.

Duke folur për bastisjet, Maria shpjegon se jetëshkrimet e Dëshmitarëve të tjerë që i kanë arrestuar për shkak të besimit, e kanë ndihmuar shumë që të ishte e përgatitur. Ajo thotë: «Ditën kur më bastisën shtëpinë dhe më arrestuan, isha e qetë. S’ma merrte mendja që do të provoja atë lloj paqeje në zemër. Jam e sigurt se ishte vetëm falë frymës së Perëndisë.»

Dy ditë pas kontrollit, Gjykata e Krahinës së Leninskit në qytetin e Smolenskut urdhëroi që dy motrat t’i futnin në paraburgim, ku qëndruan për 191 ditë. Pastaj kaluan mbi gjashtë muaj në arrest shtëpie.

Të dyja motrat pranojnë se arritën të qëndronin gjatë sprovës vetëm ngaqë kishin krijuar një miqësi të ngushtë me Jehovain që para se të ndodhte bastisja. Natalia thekson se është jetësore t’i shohim gjërat siç i sheh Jehovai. Ajo thotë se kur hasim përndjekje, është e rëndësishme të kujtojmë kush qëndron vërtet pas tyre: «Shkaku i përndjekjes së popullit të Jehovait ka qenë gjithmonë Satanai dhe secili prej nesh është i përfshirë në një çështje të rëndësishme.»

Maria shton: «Miqësia me Jehovain ndërtohet ditë pas dite, ndaj është jetësore të dallojmë dorën e tij dhe merakun e kujdesin që tregon çdo ditë ndaj nesh. Mëso të mbështetesh plot besim tek Ai për çdo gjë. Kultivo dëshirën për ta lexuar përditë Biblën, përpiqu të kujtosh ngjarjet e lashtësisë dhe mëso përmendsh vargjet e preferuara.»

Besimi dhe qëndrueshmëria e motrave tona është një shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë ne teksa vazhdojmë ‘të besojmë te Jehovai si ndihma dhe mburoja jonë’.—Psalmi 115:11.