Kalo te përmbajtja

Nga e majta: vëlla Vladimir Kohlovi, motrat Tatjana Shamsheva dhe Olga Silaeva, dhe vëlla Eduard Zhinzhikovi

3 SHTATOR 2020
RUSI

Dy vëllezër dhe dy motra dënohen për shkak të besimit

Dy vëllezër dhe dy motra dënohen për shkak të besimit

Vendimi

Më 3 shtator 2020, Gjykata e Qytetit të Novozibkovit në rajonin e Brianskut dënoi vëlla Vladimir Kohlovin, motrat Tatjana Shamsheva dhe Olga Silaeva, dhe vëlla Eduard Zhinzhikovin. Dënimet e tyre variojnë nga një vit deri në një vit e tre muaj burg. Megjithatë, meqë këtë periudhë e kaluan në paraburgim, janë liruar.

Të dhëna

Vladimir Kohlovi

  • Lindur: 1977 (Novozibkov, rajoni i Brianskut)

  • Biografia: Mekanik. Para se të bëhej Dëshmitar i Jehovait, shërbeu në ushtri. I pëlqen të luajë futboll, të lexojë, të peshkojë dhe t’i bjerë kitarës

  • Një shok e kishte nxitur të studionte Biblën. Më 2007 u martua me Olgën dhe kanë një vajzë, Anastasian. Të tre i shërbejnë Jehovait si familje

Tatjana Shamsheva

  • Lindur: 1977 (Çerepovets, rajoni i Vologdës)

  • Biografia: Ekonomiste. Ka dhënë mësime për ekonomi, juridik dhe financë për shumë vjet. U pagëzua në vitin 1995. Asaj i pëlqen t’u flasë të tjerëve për këshillat e mençura që gjenden në Bibël

Olga Silaeva

  • Lindur: 1988 (Davidovo, rajoni i Moskës)

  • Biografia: Më e vogla nga tre fëmijët. U diplomua për inxhinieri në një shkollë teknike. I pëlqen shumë të qëndisë, të lexojë e të luajë volejboll. E çmon shumë Biblën, njësoj si e ëma

Eduard Zhinzhikovi

  • Lindur: 1971 (Zadnia, rajoni i Brianskut)

  • Biografia: Ka punuar si saldator dhe pastrues, si dhe ka qenë i punësuar në polici. Ishte anëtar i një grupi muzikor. Më 1993 u martua me Tatjanën, pjesëtare e këtij grupi. I pëlqen të shkruajë poezi e t’i bjerë kitarës

  • Aty nga fundi i viteve 90 nisi të studiojë Biblën dhe gjeti përgjigjet e shumë pyetjeve. Kështu u nxit të linte veset dhe të përmirësonte jetën e tij familjare. Kjo e habiti Tatjanën, prandaj edhe ajo u bë Dëshmitare

Historiku i çështjes

Më 11 qershor 2019 autoritetet bastisën 22 shtëpi të Dëshmitarëve në rajonin e Brianskut në Rusi dhe arrestuan motrat Tatjana Shamsheva dhe Olga Silaeva. Secila kaloi 245 ditë në paraburgim. Ato u liruan në maj 2020 dhe po pritnin për gjyqin.

Më 16 tetor 2019 autoritetet ngritën një çështje penale kundër vëllezërve Vladimir Kohlov dhe Eduard Zhinzhikov. Më vonë çështja e tyre u bashkua me çështjen e motrave Shamsheva dhe Silaeva. Shtatë ditë më pas vëllezërit i dërguan në paraburgim dhe qëndruan deri kur u dha vendimi.

Motrat u intervistuan në Raportin nga Trupi Udhëheqës nr. 5. Motër Silaeva tha se tetë muajt në paraburgim e bindën më tej se ‘pavarësisht sa e rëndë është situata, Jehovai do t’i japë gjithmonë aq frymë [të shenjtë] sa i duhet për të kapërcyer çdo sprovë’. Motër Shamsheva tha plot besim: «Jehovai na qëndron gjithnjë pranë dhe na mbështet, na forcon e na ndihmon përherë.»

Jemi të sigurt se Jehovai do të vazhdojë t’i ndihmojë të gjithë vëllezërit e motrat në Rusi, si ata që rrezikojnë të burgosen, si ata që janë në burg, që të ruajnë gëzimin e paqen gjatë këtyre sprovave.—1 Korintasve 10:13.