Kalo te përmbajtja

Sipas një paneli ekspertësh të të drejtave të njeriut pranë OKB-së, këta 10 vëllezër e motra bashkë me 8 të tjerë, u arrestuan e u burgosën ilegalisht në Rusi: Andrei Maglivi, Igor Egozariani, Ruslan Korolevi, Vladimir Kuliasovi dhe Valeri Rogozini (reshti lart, nga e majta në të djathtë); Valeri Shalevi, Tatiana Shamsheva, Olga Silaieva, Aleksandër Solovievi dhe Denis Timoshini (reshti poshtë, nga e majta në të djathtë)

18 MAJ 2020
RUSI

Ekspertë të OKB-së deklaruan se Rusia shkeli ligjet ndërkombëtare kur burgosi 18 Dëshmitarë të Jehovait

Ekspertë të OKB-së deklaruan se Rusia shkeli ligjet ndërkombëtare kur burgosi 18 Dëshmitarë të Jehovait

Një panel me ekspertë të të drejtave të njeriut pranë Kombeve të Bashkuara (OKB) ka publikuar një dokument 15-faqësh, ku deklaron se Rusia shkeli ligjet ndërkombëtare kur arrestoi dhe burgosi 18 Dëshmitarë të Jehovait në qytete të ndryshme, nga maji i 2018-s deri në qershor të 2019-s. Si përfundim, paneli i ekspertëve kërkon lirimin e menjëhershëm e të pakushtëzuar të Dëshmitarëve që janë ende në burg.

Një kopje paraprake e dokumentit u botua më 15 maj 2020. Dokumenti përfundimtar do të vihet së shpejti në dispozicion në faqen ueb të OKB-së.

Kjo është hera e tretë brenda një viti që Grupi i Punës kundër Burgosjes Arbitrare ka nxjerrë këtë përfundim në favor të vëllezërve e motrave tona. Në këtë dokument, Grupi i Punës dënon padrejtësitë e panumërta që ka bërë qeveria ruse ndaj vëllezërve e motrave tona.

Për sa i përket «forcës ekstreme» që përdorën autoritetet kur arrestuan Dëshmitarët, Grupi i Punës nxori përfundimin se «policia ruse nuk kishte arsye të vlefshme për këtë» dhe thekson se «asnjë [Dëshmitar] nuk duhej të ishte arrestuar e nuk duhej të ishte mbajtur në paraburgim dhe se asnjëri prej tyre nuk duhej të ishte proceduar e nuk duhet të procedohet penalisht në të ardhmen».

Ekspertët hedhin poshtë në mënyrë kategorike akuzën e ngritur kundër Dëshmitarëve për aktivitet «ekstremist». Ata shpjegojnë se vëllezërit e motrat thjesht kanë ushtruar «paqësisht të drejtën e tyre për liri fetare».

Në dokument, ekspertët dënojnë edhe taktikat që u përdorën gjatë procesit gjyqësor të vëllezërve tanë. Për shembull, gjatë seancave dëgjimore në paraburgim, dy motra i mbajtën të mbyllura në kafaz në sallën e gjyqit. Siç shpjegon Grupi i Punës, ligjet ndërkombëtare thonë se kushdo ka të drejtën «të konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia». Për këtë arsye, motrat tona nuk duhej të ishin mbajtur «në pranga ose kafaze gjatë seancave gjyqësore e as nuk duhej të ishin sjellë në sallën e gjyqit sikur të ishin kriminele të rrezikshme».

Grupi i Punës kërkon që Rusia t’i eliminojë të gjitha dosjet kriminale të 18 Dëshmitarëve dhe t’i kompensojë në përputhje me ligjet ndërkombëtare. Për më tepër, Rusisë i është kërkuar «të hetojë plotësisht e me objektivitet të gjitha rrethanat që i kontribuan këtij mohimi arbitrar të lirisë» dhe «të ndërmarrë masat e duhura kundër personave përgjegjës për shkeljen e të drejtave [të Dëshmitarëve]».

Në dokumentin e Grupit të Punës thuhet se 18 Dëshmitarët janë «vetëm disa nga Dëshmitarët e Jehovait në Rusi që janë arrestuar, burgosur dhe akuzuar për veprimtari kriminale, numri i të cilëve rritet dita-ditës, vetëm se po ushtrojnë të drejtën e lirisë fetare», një e drejtë që mbrohet nga një konventë ndërkombëtare ku bën pjesë edhe Rusia. Kështu, ndonëse dokumenti përqendrohet te 18 vëllezërit e motrat, Grupi i Punës deklaroi fare qartë se rekomandimet e tyre «aplikohen për këdo që është në rrethana të ngjashme».

Dokumenti i Grupit të Punës nuk është garanci se vëllezërit e motrat në Rusi do të shfajësohen, por shpresojmë që ta përmirësojë situatën. Jemi në pritje të përgjigjes së Rusisë. Ndërkohë, ndërsa vëllezërit e motrat tona në Rusi përballojnë me guxim përndjekjen, e dimë se Ati ynë i dashur, Jehovai, do t’i mbushë plot gëzim e paqe ngaqë besojnë tek Ai.—Romakëve 15:13.