1 MARS 2019
RUSI
GJEDNJ-ja përgjigjet në favor të një Dëshmitari të torturuar në Rusi
Më 25 shkurt 2019, avokatët e Sergei Loginovit i paraqitën një kërkesë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), që të merrte masa urgjente në favor të vëllait tonë, njërit prej 7 vëllezërve të torturuar nga agjentët e qytetit të Surgutit, në perëndim të Siberisë. Gjashtë vëllezër u liruan, ndërsa vëlla Loginovi u mbajt në paraburgim që kur u arrestua dhe nuk ka marrë trajtimin e duhur mjekësor për dëmtimet.
Më 26 shkurt 2019, vetëm një ditë pas paraqitjes së kërkesës, GJEDNJ-ja u përgjigj me një vendim të favorshëm. Ajo e urdhëronte qeverinë ruse, që vëlla Loginovi të kontrollohej «menjëherë» nga një grup mjekësh të pavarur, për të përcaktuar dëmin «fizik e psikologjik» dhe nëse gjendja shëndetësore mundëson qëndrimin në burg derisa të gjykohet. Qeveria ruse ka kohë deri më 11 mars të 2019-s, për të vepruar.
GJEDNJ-ja miraton kërkesa të tilla vetëm për raste të jashtëzakonshme, kur individi rrezikon dëmtime të pakthyeshme nëse nuk merren masa të menjëhershme. Është inkurajuese që GJEDNJ-ja e ndërmori këtë hap kaq shpejt, vetëm një ditë pasi u paraqit kërkesa. Ajo ka thënë se do ta mbikëqyrë nga afër abuzimin fizik që është bërë ndaj vëllezërve tanë.
Për momentin, në Surgut, 19 Dëshmitarë po përballen me akuza penale dhe tre prej tyre po mbahen në paraburgim.
Ndërsa vazhdojmë t’i përgjërohemi Jehovait për vëllezërit tanë, të mbajmë në mendje fjalët zemërdhënëse të Jeremisë: «Ai që ka besim te Jehovai dhe siguria e të cilit është Jehovai, është i bekuar».—Jeremia 17:7.