Kalo te përmbajtja

19 PRILL 2017
RUSI

Në ditën e pestë të gjyqit Gjykata e Lartë Ruse shqyrton provat në çështjen e ndalimit të Dëshmitarëve të Jehovait

Në ditën e pestë të gjyqit Gjykata e Lartë Ruse shqyrton provat në çështjen e ndalimit të Dëshmitarëve të Jehovait

Sot Gjykata e Lartë e Federatës Ruse filloi shqyrtimin e dosjeve të shumta për çështjen—43 vëllime me dokumente. Gjithashtu i lejoi avokatët e Qendrës Administrative (Qendra) të paraqitnin prova të reja për bastisjet e mbledhjeve fetare të Dëshmitarëve të Jehovait. Në mars dhe në prill 2017 forcat e rendit i ndërprenë këto mbledhje fetare dhe kërcënuan të pranishmit se do t’i ndiqnin penalisht.

Teksa shqyrtonte kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë (Ministrisë) për të mbyllur 395 entet ligjore ekzistuese (Organizatat Fetare Lokale ose OFL-të), Gjykata dëgjoi argumente që lidheshin me strukturën ligjore dhe kanonike të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndërsa gjykata shqyrtonte vendimet e mëparshme për mbylljen e tetë OFL-ve, avokatët e Dëshmitarëve nxorën në pah se këto vendime bazoheshin në prova të sajuara dhe ishin plot me shkelje proceduriale.

Për më tepër, avokatët e Qendrës theksuan se Ministria po përdor një standard të dyfishtë. Gjatë gjyqeve për të mbyllur OFL-të, Ministria pohoi se Qendra s’kishte asnjë lidhje me veprimtarinë e OFL-ve. Gjithashtu, ajo pengoi çdo përpjekje të Qendrës për të marrë pjesë në procedurat gjyqësore. E megjithatë, në këtë çështje, Ministria deklaroi se Qendra është përgjegjëse për «shkeljet» e OFL-ve dhe për «ekstremizmin» në botimet e Dëshmitarëve.

Ministria ka bërë inspektime të shumta për entet ligjore të Dëshmitarëve dhe i paraqiti Gjykatës vëllime të tëra me raporte të këtyre inspektimeve. Prapëseprapë, kur përfaqësuesit e Ministrisë u pyetën, s’ishin në gjendje të tregonin as edhe një rast të vetëm ku Dëshmitarët ishin përfshirë në veprimtari ekstremiste.

Gjyqi do të vazhdojë më 20 prill 2017, në orën 14.00.