Kalo te përmbajtja

7 MARS 2022
RUSI

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendos se Rusia ka shkelur të drejtat themelore dhe lirinë e Dëshmitarëve të Jehovait

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendos se Rusia ka shkelur të drejtat themelore dhe lirinë e Dëshmitarëve të Jehovait

Më 22 shkurt 2022, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mori 2 vendime në favor të 15 Dëshmitarëve të Jehovait. Çështjet gjyqësore kishin të bënin me raste kur policët kishin keqtrajtuar vëllezërit gjatë bastisjeve të shtëpive në vitet 2010-2012. Gjykata vendosi se Rusia kishte shkelur të drejtën themelore të lirisë së fesë të motrave dhe të vëllezërve. Tani Rusia duhet të paguajë një dëmshpërblim prej më tepër se 99.000 euro (112.323 dollarë amerikanë). Vendimet janë përfundimtare dhe nuk mund të apelohen.

Dy vendimet e Gjykatës kishin të bënin me 6 çështje kundër Rusisë. a Të pandehurit pohuan se autoritetet ruse kishin përdorur mandate kontrolli të paligjshme për të bastisur disa shtëpi dhe një Sallë Mbretërie, për të konfiskuar sende personale dhe për të zhveshur 2 motra, që t’i kontrollonin. Motrat i kishin arrestuar ngaqë predikonin. Në disa raste, bastisjet u kryen nga agjentë të FSB-së të maskuar dhe të armatosur rëndë, të cilët përdorën forcën, megjithëse nuk ishte e nevojshme.

Duke folur për domethënien e vendimeve, avokati për të drejtat e njeriut në nivel ndërkombëtar André Karbonó, me të cilin u konsultua skuadra ligjore, shpjegoi se vendimet «krijojnë një precedent të rëndësishëm pasi tregojnë se Rusia ka bastisur shtëpitë e Dëshmitarëve në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme. Këtu përfshihen edhe 1.700 bastisjet që kanë ndodhur që nga ndalimi i Dëshmitarëve të Jehovait më 2017. Por tani e tutje, çdo bastisje që ndodh vetëm sepse dikush është Dëshmitar i Jehovait, konsiderohet e paligjshme dhe shkel Konventën Evropiane». Ai shtoi: «Vlen të theksohet edhe se Gjykata i dënoi autoritetet ruse për ndalimin e predikimit nga shtëpia në shtëpi. Kjo tregon se për GJEDNJ-në, predikimi është një aktivitet fetar dhe autoritetet nuk kanë të drejtë ta ndalojnë.»

Edhe pse këto 2 vendime nuk trajtojnë përndjekjen e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, ato hedhin bazën për vendimet e mëvonshme që lidhen me ndalimin e organizatës. Aktualisht në GJEDNJ ka mbi 60 çështje pezull që përfshijnë Dëshmitarët e Jehovait në Rusi. Urojmë që këto vendime pozitive të jenë një precedent i vendimeve të ardhshme të Gjykatës për raste të tilla.

Jemi të lumtur tek shohim autoritetet që mbrojnë të drejtat e njeriut, të njohin integritetin e palëkundur të motrave e të vëllezërve tanë në Rusi. Vendimet dëshmojnë qartë se Jehovai po i bekon përpjekjet për të mbrojtur besnikërisht emrin e tij dhe për të mbështetur sovranitetin e tij.—Psalmi 26:11.

a Gjashtë çështjet janë: Çaviçalovi kundër Rusisë; Çeprunovi dhe të tjerë kundër Rusisë; Novakovskaji kundër Rusisë; Ogorodnikovi dhe të tjerë kundër Rusisë; Pekshujevi dhe të tjerë kundër Rusisë; Zharinovi kundër Rusisë.