Kalo te përmbajtja

Disa nga mbi 330 vëllezërit e motrat në Rusi dhe Krime që kanë bërë burg, që pas vendimit të Gjykatës së Lartë Ruse më 2017

8 QERSHOR 2022
RUSI

Gjykata Evropiane merr një vendim historik kundër Rusisë ngaqë përndjek Dëshmitarët e Jehovait

Gjykata Evropiane merr një vendim historik kundër Rusisë ngaqë përndjek Dëshmitarët e Jehovait

Më 7 qershor 2022, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) njoftoi një vendim historik a kundër Rusisë ngaqë përndjek Dëshmitarët e Jehovait. GJEDNJ-ja deklaroi se ndalimi i Dëshmitarëve të Jehovait në vitin 2017 ishte i paligjshëm. Përveç kësaj, ajo konsideroi të paligjshëm edhe ndalimin e botimeve e të sitit jw.org. Gjykata e urdhëroi Rusinë të ndërpriste çdo ndjekje penale të vëllezërve dhe motrave e të lironte të gjithë ata që ishin në burg. Gjithashtu, Rusia duhet të kthejë të gjitha pronat e konfiskuara ose, në rast të kundërt, të paguajë një dëmshpërblim prej 59.617.458 eurosh (63.684.978 dollarë amerikanë). Rusia duhet t’u paguajë aplikantëve një dëmshpërblim prej 3.447.250 eurosh (3.682.445 dollarë amerikanë).

Prona e ish-zyrës së degës në Rusi që u konfiskua nga autoritetet ruse. Ajo përfshinte 14 godina të vendosura në një hapësirë mbi 100.000 metra katrorë në periferi të Shën-Pjetërburgut

Vendimi lidhet me 20 çështje nga viti 2010 deri më 2019, ku përfshihen mbi 1.400 aplikantë—individë Dëshmitarë dhe ente ligjore. Megjithatë, vendimi i GJEDNJ-së shkon përtej aplikantëve. Në të thuhet se Rusia «duhet të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të ndalojë të gjitha ndjekjet penale kundër Dëshmitarëve të Jehovait . . . dhe të lirojë të gjithë Dëshmitarët e Jehovait të cilëve u është privuar liria». (Kursivi është yni.) Vendimi shfajëson çdo vëlla e motër në Rusi dhe jashtë saj dhe vendos ligjërisht se ata janë qytetarë që i binden ligjit, ama po përndiqen e burgosen padrejtësisht.

Gjatë vendimit, GJEDNJ-ja hedh poshtë tërësisht pretendimet e pabaza të Rusisë se veprimet, bindjet, botimet dhe siti ynë janë ekstremiste. Për shembull, vini re komentet e mëposhtme që janë shkëputur nga vendimi:

  • Veprimet: GJEDNJ-ja thekson se gjykatat ruse «nuk kanë identifikuar asnjë fjalë, veprim a qëndrim i cili provon se aplikantët janë të motivuar nga dhuna, urrejtja ose diskriminimi ndaj të tjerëve». (par. 271)

  • Bindja se Dëshmitarët e Jehovait kanë të vërtetën: «Të përpiqesh në mënyrë paqësore t’i bindësh të tjerët se feja jote është më e mira, t’i nxitësh të braktisin ‘fetë e rreme’ dhe të përqafojnë ‘fenë e vërtetë’, është një formë e ligjshme e ushtrimit të së drejtës të lirisë së fesë dhe të shprehjes.» (par. 156)

  • Transfuzionet e gjakut: «Refuzimi i transfuzionit të gjakut nga një anëtar komuniteti ishte shprehje e vullnetit të tij të lirë, pasi ai ka të drejtë të marrë vetë vendime për kujdesin shëndetësor dhe kjo garantohet si nga Konventa, edhe nga legjislacioni rus.» (par. 165)

  • Refuzimi i shërbimit ushtarak: «Refuzimi i shërbimit ushtarak për shkak të bindjeve fetare nuk thyen asnjë ligj rus.» (par. 169)

  • Botimet tona: «Veprimtaritë fetare të aplikantëve dhe përmbajtja e botimeve të tyre kanë qenë paqësore në harmoni me doktrinën kundër dhunës, të cilën ata predikojnë.» (par. 157)

  • JW.ORG: Gjykata vendosi se përmbajtja e sitit jw.org nuk është ekstremiste. Nëse autoritetet nuk i pranonin disa informacione të sitit, ata duhej t’i kishin kërkuar organizatës të hiqte vetëm ato pjesë që i konsideronin fyese dhe jo të ndalonin krejt sitin. (par. 231, 232)

Në vendim kritikohen ashpër autoritetet ruse dhe provohet se ata janë treguar paragjykues, të anshëm dhe «nuk kanë vepruar me ndershmëri». (par. 187) Për shembull, vini re këto përfundime të Gjykatës të përmendura në vendim:

  • «Mbyllja me forcë e të gjitha organizatave fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi nuk ishte thjesht rezultat i zbatimit të paanshëm të ligjit, por tregues i politikës jotolerante të autoriteteve ruse kundrejt praktikave fetare të Dëshmitarëve të Jehovait, që kanë si qëllim t’i detyrojnë Dëshmitarët ta braktisin besimin dhe t’i pengojnë të tjerët të bashkohen me ta.» (par. 254)

  • Autoritetet ruse lejuan «gabime proceduriale» serioze, si për shembull kur Gjykata e Lartë e Rusisë mori për bazë raportet e njëanshme të ekspertëve që ishin zgjedhur nga policia dhe prokurorët në vend që t’i shqyrtonin me paanshmëri botimet. (par. 203)

  • Ligji për ekstremizmin u hartua kastile në një mënyrë aq të gjerë e të mjegullt që t’u linte hapësirë autoriteteve të vepronin në mënyrë arbitrare kundër Dëshmitarëve të Jehovait. (par. 272)

Nuk dihet me siguri se çfarë ndikimi do të kenë vendimet e GJEDNJ-së në Rusi. Tekefundit, ne nuk i varim shpresat tek autoritetet njerëzore. Përkundrazi «presim plot shpresë Jehovain» se ai është «ndihma jonë, mburoja jonë».—Psalmi 33:20.