Kalo te përmbajtja

Andrei me gruan, Svetlanën, jashtë gjykatës pasi u mor vendimi që do të lirohej nga arresti i shtëpisë

22 GUSHT 2019
RUSI

Gjykata e apelit liron nga arresti i shtëpisë vëlla Andrei Suvorkovin

Gjykata e apelit liron nga arresti i shtëpisë vëlla Andrei Suvorkovin

Më 13 gusht 2019 gjykata e apelit në qytetin e Kirovit vendosi të lironte nga arresti i shtëpisë vëllanë Andrei Suvorkov, 26 vjeç. Edhe pse i është dhënë liri, çështja e tij mbetet sërish e hapur.

Siç është raportuar më parë, ai, njerku i tij dhe tre vëllezër të tjerë u arrestuan më 9 tetor 2018 në Kirov kur policia vendëse dhe forcat speciale të maskuara bastisën 19 shtëpi.

Vëlla Suvorkovi kujton çfarë ndodhi kur i kontrolluan shtëpinë: «Na morën plot gjëra me vlerë. Por as unë, as gruaja nuk u shqetësuam për këtë, sepse gjithmonë jemi përpjekur të jetojmë thjesht dhe të mos merakosemi shumë për gjërat materiale. Te Mateu 6:21 thuhet: ‘Sepse, ku të jetë thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote’. Kjo këshillë na ka ndihmuar të mos e humbim qetësinë.»

Pas bastisjeve u ngritën padi penale kundër vëlla Suvorkovit, njerkut të tij dhe tre vëllezërve të tjerë, ngaqë këndonin këngë për Mbretërinë, studionin botime fetare dhe kishin Shkrimet e Shenjta—Përkthimin Bota e Re në rusisht. Të gjithë i futën në një burg të përkohshëm, duke pritur që gjykata të vendoste nëse do t’i lironte apo do t’i transferonte në burg.

Vëlla Suvorkovi përshkruan situatën që kaloi: «Ndenja dy net në këtë burg të përkohshëm. Në fillim jam lutur pa pushim. Isha i sigurt se Jehovai më dëgjonte dhe do të më mbështeste. Kujtoja melodi të këngëve të Mbretërisë dhe këndoja. Më pas arrita të kujtoja mbi 50 melodi bashkë me tekstet e këngëve.»

Gjykata vendosi që vëlla Suvorkovi dhe të tjerët të liheshin në burg. Gjatë javës së parë atje, vëlla Suvorkovi u përqendrua të ndihmonte të tjerët. Ai kujton: «Vendosa të lutesha për vëllezërit me emër dhe t’u shkruaja letra zemërdhënëse atyre që ua mbaja mend adresat. Kjo më gëzonte.»—Veprat 20:35.

Pas disa muajsh të gjithë vëllezërit u transferuan në arrest shtëpie, përveç vëllait Anzej Onisçuk. Vëlla Suvorkovi është i pari nga Kirovi që lirohet nga arresti i shtëpisë.

Ai thotë: «Kur kthej kokën pas, jam mjaft i kënaqur për gjithë sa kalova në burg. . . . Nuk e di si do të na surprizojë e ardhmja ose nëse do të më burgosin prapë. Por edhe po të më burgosin, tani jam i bindur se do të kem mbështetjen e Jehovait dhe të organizatës së tij. Ndaj nuk kam frikë nga burgu.»