Kalo te përmbajtja

Vëlla Ruslan Alievi me të shoqen, Kristinën, para gjykatës më 17 dhjetor 2020

17 DHJETOR 2020
RUSI

Gjykata ruse dënon me vënie në provë vëlla Ruslan Alievin

Gjykata ruse dënon me vënie në provë vëlla Ruslan Alievin

Lajmi përmban edhe komente të tjera nga vëlla Alievi

Më 17 dhjetor 2020, Gjykata e Krahinës së Leninskit në Rostov-mbi-Don e shpalli fajtor vëlla Ruslan Alievin dhe e dënoi me dy vite e gjysmë vënie në provë. Për momentin nuk do të futet në burg.

Gjatë ditëve para se të merrej vendimi, Ruslani tregoi se kishte ‘paqen e Perëndisë’. (Filipianëve 4:7) U kishte thënë me qetësi miqve: «Nuk jam edhe aq në merak për përfundimin e këtij procesi gjyqësor. E di se Perëndia do të ketë nën kontroll gjithçka që lejon dhe se ndihma do të vijë në kohën e duhur. Do t’i shërbej Jehovait kudo që të jem.» Ruslani e di edhe se vëllezër e motra nga e gjithë bota luten që ai të qëndrojë besnik dhe thotë se kjo i ka dhënë «shumë zemër».

Gjatë komenteve të tij përmbyllëse para gjykatës më 14 dhjetor 2020, Ruslani tha plot guxim: «Në shekullin e parë të e.s., një i ri 33-vjeçar qëndronte para gjykatës i akuzuar se kishte nxitur kryengritje kundër shtetit. Mirëpo, informacionet që kemi ne sot për këtë gjyq, tregojnë se në të vërtetë ai po gjykohej për miqësinë e tij me Perëndinë, Jehovain. Dëshmitë e dëshmitarëve të ndryshëm binin në kundërshtim me njëra-tjetrën, dhe pala akuzuese nuk kishte absolutisht asnjë mënyrë si të vërtetonte fajësinë e tij, e megjithatë të akuzuarin e shpallën fajtor. Ky njeri ishte Jezu Krishti.

Sot, në shekullin e 21-të, unë—që po ashtu jam 33 vjeç—qëndroj para kësaj gjykate nën një akuzë të ngjashme, pra se jam rebeluar kundër qeverisë dhe kam cenuar sigurinë e shtetit. . . . Kur dëgjoj se më akuzojnë për shpërfillje të Kushtetutës dhe për kërcënim të sigurisë së shtetit, habitem nga absurditeti i kësaj akuze komplet të pabazë.»

Veç kësaj, Ruslani e hodhi poshtë me forcë akuzën e rreme sipas së cilës ai nxiste urrejtje etnike dhe fetare. Ai tha: «Për shkak të rrethanave, jam rritur në kulturat e të paktën tri popujve: popullit rus, atij azer dhe ukrainas. I çmoj dhe i dua njësoj të tria këto kultura. . . . Shumë nga miqtë e mi vijnë nga vende anglishtfolëse të Afrikës, të tjerë flasin gjuhën kineze. . . . Unë vetë jam me prejardhje azere. Të gjithë e dinë se mes azerëve dhe armenëve ekziston një armiqësi e vjetër, ama miku im i ngushtë është armen dhe ka qenë dëshmitar në dasmën time. Ky qëndrim që kam ndaj njerëzve të kombeve, pozitave shoqërore, racave dhe feve të ndryshme, më është brumosur që i vogël falë arsimimit fetar. . . . E tani është shumë e çuditshme për mua dhe për ata që më njohin, të dëgjojnë se jam akuzuar si një njeri që nxis përçarje etnike dhe racore ose që përhap ide sikur një popull qëndron më lart se një popull tjetër.»

Marrim zemër kur dëgjojmë se motrat e vëllezërit tanë në Rusi, po e përdorin plot guxim kohën e tyre në gjyq si mundësi për të dhënë dëshmi. Jemi të bindur se Jehovai do t’i bekojë farat e së vërtetës që mbjellim kur mbrojmë besimin tonë para zyrtarëve.—Mateu 10:18.