22 JANAR 2021
RUSI
Gjykata ruse dënon motër Anastasia Sishevën, sepse merrte pjesë në mbledhje
Vendimi
Më 21 janar 2021, Gjykata e Krahinës së Obluçenskit në Rajonin Autonom Jude dënoi motër Anastasia Sishevën me dy vite vënie në provë. Për momentin nuk duhet të shkojë në burg.
Të dhëna
Anastasia Sisheva
Lindur: 1977 (Teplozjorsk, Rajoni Autonom Jude)
Biografia: Kishte katër vëllezër e motra, por dy prej tyre kanë vdekur. Është diplomuar në një universitet mjekësor për infermieri. Ka punuar në një klinikë dentare dhe pastaj në një spital psikiatrik. Pasi i vdiq motra e madhe, mori kujdestarinë për dy fëmijët e saj të vegjël. Gjithashtu u kujdes për të ëmën që vuante prej vitesh nga një sëmundje derisa vdiq
Kur ishte adoleshente, vriste mendjen pse jeta është kaq e shkurtër. Kjo e shtyu të studionte Biblën, dhe falë saj gjeti përgjigje të kënaqshme. Në vitin 1994 u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait
Historiku i çështjes
Në tetor të 2019-s autoritetet ruse e futën Anastasian në listën e «ekstremistëve». Më 25 shtator 2019, Hetuesia e Shërbimit të Sigurimit Federal të Rusisë (FSB) në Birobidzhan hapi një çështje penale ndaj Anastasias. Atë e akuzojnë se vazhdon me dashje aktivitetet e organizatës fetare lokale të Dëshmitarëve të Jehovait, ngaqë merr pjesë në mbledhjet fetare dhe flet për besimin e saj me të tjerët.
Gjatë seancës gjyqësore, prokuroria tregoi regjistrime në audio dhe video të bisedave telefonike të Anastasias dhe të mbledhjeve ku ajo kishte marrë pjesë. Prokuroria pretendon se regjistrimet janë provë se motra jonë ishte përfshirë në aktivitete «ekstremiste». Anastasia e përdori këtë të ashtuquajtur provë për të dhënë dëshmi. Ajo shpjegoi se mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait u mësojnë njerëzve si të zhvillojnë dhembshuri, mëshirë, durim dhe cilësi të tjera të krishtere.
Gjatë komenteve të saj të fundit para gjykatësve, Anastasia shpjegoi si e kishte ndihmuar Bibla në jetën e saj. Ndër të tjera, ajo tha: «Sot, po gjykohem për besimin tim dhe për faktin që vazhdoj aktivitetet fetare, pra lexoj Biblën, mblidhem me miqtë e mi që të flasim rreth Shkrimeve të Shenjta, këndoj këngë lavdie për Jehovain dhe i lutem atij.
Si mund ta shpërfill urdhrin që është dokumentuar te Hebrenjve, kapitulli 10, vargjet 24 dhe 25? Po jua citoj: ‘E le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera, e të mos i lëmë pas dore mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por t’i japim zemër njëri-tjetrit, aq më tepër tani që e shohim se dita po afrohet.’ Nëse Perëndia më i Lartë, vetë Jehovai, më nxit të mblidhem me miqtë e mi, me bashkëbesimtarët, që të lexojmë Biblën, t’i japim zemër njëri-tjetrit dhe të shfaqim dashuri, si mund t’ia bëj fjalën dysh? E dua, e respektoj dhe e adhuroj Perëndinë me gjithë shpirt.»
Na bëhet zemra mal teksa dëgjojmë si e mbron plot guxim besimin e saj motër Anastasia dhe si qëndron e palëkundur dhe pozitive. Lutemi që të ruajë gëzimin dhe që kjo sprovë që po zgjat, t’ia forcojë më shumë qëndrueshmërinë.—Jakovi 1:2, 3.