19 SHKURT 2019
RUSI
Gjykata ruse dënon padrejtësisht Denis Kristensenin me 6 vjet burg
Siç u njoftua më 6 shkurt të 2019-s, Gjykata e Krahinës së Zhileznadarozhnit në Oriol dënoi Denis Kristensenin me 6 vjet burg për pjesëmarrje në mbledhje fetare paqësore. Vendimi është në proces apelimi në një gjykatë me të lartë.
Lajmi për dënimin 6-vjeçar të Kristensenit shkaktoi një reagim të menjëhershëm ndërkombëtar. Organizata ndërkombëtare, si: Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare, Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe organizata të tjera, dënuan ndjekjen penale të pajustifikueshme e të padrejtë që i është bërë Denis Kristensenit.
Komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Mishel Bashleti, nxori një deklaratë që pjesërisht thoshte: «Dënimi i ashpër për Denis Kristensenin, po krijon një precedent të rrezikshëm dhe praktikisht etiketon si krim të drejtën e lirisë së fesë ose të besimit për Dëshmitarët e Jehovait në Rusi». Ajo e nxiti qeverinë ruse «të rishikojë Ligjin Federal kundër Veprimtarive Ekstremiste, që të qartësojë përkufizimin e mjegullt e të papërcaktuar të shprehjes ‘aktivitet ekstremist’ dhe të sigurohet që në përkufizim të përfshihet elementi i dhunës ose i urrejtjes». Mishel Bashleti përfundoi duke u bërë thirrje autoriteteve që «të rrëzojnë akuzat dhe të lirojnë ata që po mbahen në burg ngaqë ushtrojnë të drejtën e lirisë së fesë ose të besimit, të drejtën e mendimit dhe të shprehjes dhe të drejtën e lirisë për t’u mbledhur e për t’u bashkuar paqësisht».
Dy ditë pasi vëlla Kristenseni u dënua, katër ekspertë të mirënjohur rusë për të drejtat e njeriut organizuan një konferencë për shtyp në Moskë. Vendi ku u mbajt konferenca u mbush plot me njerëz dhe më shumë se 6.000 veta e ndoqën programin 1-orësh live, nëpërmjet Internetit. Të gjithë ekspertët që folën gjatë programit, i mbrojtën Dëshmitarët e Jehovait duke i përshkruar si njerëz paqësorë, të parrezikshëm për shoqërinë.
Gjithashtu në konferencë morën pjesë edhe Irina, gruaja e vëlla Kristensenit, avokati i tij Anton Bogdanovi, dhe një përfaqësues nga Shoqata Evropiane e Dëshmitarëve të Jehovait, Jaroslav Sivulski. Ata dhanë deklaratat e tyre në lidhje me vendimin e padrejtë dhe iu përgjigjen pyetjeve të shtypit.
Edhe pse ka pothuajse dy vjet në burg, vëlla Kristenseni vazhdon të ruajë gëzimin dhe besimin te Jehovai. Vetëm pak ditë para se të merrej vendimi përfundimtar, ndërsa po jepte deklaratën e tij të fundit në gjyq, vëlla Kristenseni tha: «Herët a vonë e vërteta del në shesh dhe patjetër do të dalë edhe në këtë rast.» Pasi lexoi Zbulesën 21:3-5, tha me bindje të plotë: «Këto fjalë . . . përshkruajnë kohën kur Perëndia do të sigurojë drejtësi dhe liri për të gjithë njerëzit. Liria dhe drejtësia lidhen ngushtësisht me njëra-tjetrën. Perëndia do të sigurohet që e gjithë kjo të realizohet.»
Vëlla Kristenseni duhet të presë vendimin e apelit ndërsa qëndron në Burgun nr. 1, në Rajonin e Oriolit, ku edhe ka qenë i burgosur 20 muajt e fundit.
Do të vazhdojmë të lutemi që Jehovai ta mbështetë me besnikëri Denis Kristensenin, gruan e tij dhe gjithë bashkadhuruesit në Rusi.—1 Pjetrit 3:12.
Pak ditë para se të shpallej vendimi, media ndërkombëtare RFE/RL realizoi videon Rusi: Gjyq që do të vërtetojë në ç’gjendje është liria e fesë.