Kalo te përmbajtja

Nga e majta: Andrej Maglifi, Vladimir Kuljasovi, Galija Olhova, Tatjana Alushkini, Vladimir Alushkini dhe Denis Timoshini në Gjykatën Krahinore të Leninskit më 5 dhjetor 2019

17 DHJETOR 2019
RUSI

Gjykata ruse dënon vëlla Alushkinin me gjashtë vite burg, ndërsa pesë të tjerë me liri me kusht

Gjykata ruse dënon vëlla Alushkinin me gjashtë vite burg, ndërsa pesë të tjerë me liri me kusht

Të premten në mëngjes më 13 dhjetor 2019, Gjykata Krahinore e Leninskit në Penzë dënoi vëlla Vladimir Alushkinin me gjashtë vite burg. I vunë prangat menjëherë pas seancës dhe e çuan në burg. Në këtë proces gjyqësor u dënuan edhe pesë të tjerë (tre vëllezër dhe dy motra), ndër ta edhe gruaja e Vladimirit, Tatjana. U dënuan me liri me kusht dhe, nëse e shkelin, secili do të vuajë dy vite burg. Të gjashtë vëllezërit e motrat nga Penza do ta apelojnë vendimin.

Siç është raportuar edhe më parë, Vladimir Alushkini u arrestua më 15 korrik 2018, kur një grup policësh të maskuar dhe të armatosur bastisën shtëpinë e tij. Policët kontrolluan apartamentin për pothuajse 4 orë dhe i sekuestruan celularët, pajisjet elektronike, Biblat dhe botime të tjera. Atë ditë policët kontrolluan edhe pesë shtëpi të tjera të Dëshmitarëve të Jehovait dhe çuan në rajon rreth 40 vëllezër e motra për t’i marrë në pyetje.

Autoritetet vendëse e mbajtën vëlla Alushkinin për dy ditë në një burg të përkohshëm. Pastaj Gjykata Krahinore e Pervomajskit në Penzë e transferoi në një qendër paraburgimi, ku do të qëndronte dy muaj. Kjo gjykatë ia shtyu 2 herë të tjera dënimin. Pasi ndenji për pothuajse 6 muaj në qendrën e paraburgimit, e kaluan në arrest shtëpie. Aty ndenji deri më 13 dhjetor kur e dënuan.

Përveç vëlla Alushkinit, në këtë proces u shqyrtuan edhe akuzat penale kundër pesë Dëshmitarëve të tjerë. Tre prej tyre janë vëllezërit Vladimir Kuljasovi, Andrej Maglifi dhe Denis Timoshini. Gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor ata ishin në arrest shtëpie. Kurse dy motrave, Tatjana Alushkinit dhe Galija Olhovës, që nga shkurti i 2019-s autoritetet u kanë kufizuar udhëtimin dhe komunikimin me të tjerët.

Në gusht të vitit 2019, Grupi i Punës i Kombeve të Bashkuara kundër Burgosjes Arbitrare (GPBA) publikoi një raport me 12 faqe ku dënon Rusinë ngaqë kishte arrestuar dhe burgosur vëlla Alushkinin. Sipas GPBA-së, vëlla Alushkini «nuk duhej të arrestohej, të mbahej në paraburgim dhe as t’i bëhej gjyq». Ajo theksoi se «zgjidhja më e mirë është që z. Alushkin të lirohet menjëherë nga burgu». Avokatët që mbronin gjashtë vëllezërit e motrat në Penzë, i bazuan argumentet e tyre tek opinioni i GPBA-së që respektohet në të gjithë botën. Prapëseprapë, teksa lexonte vendimin e 13 dhjetorit, gjyqtari pohoi se gjykata e konsideronte vendimin e vitit 2017 të Gjykatës së Lartë Ruse—i cili i ndalon Dëshmitarët e Jehovait të praktikojnë besimin—si më të rëndësishëm se opinionin e GPBA-së.

Këtë vit Rusia ka shpallur fajtorë 18 vëllezër e motra, ndër ta 9 vëllezër i ka dënuar me afate të ndryshme burgimi. Mbi 40 vëllezër e motra janë në paraburgim dhe 19 janë në arrest shtëpie. Në mbarë Rusinë, afro 300 vëllezër e motra po përballen me akuza penale për shkak të besimit.

Edhe pse trishtohemi kur dëgjojmë se motrat e vëllezërit tanë po përndiqen, këto sprova nuk na habitin. Bibla paratha se këto gjëra do të ndodhnin, por na premtoi edhe se Jehovai do të na mbështetë me dashuri. Lutemi që ‘fryma e lavdisë, po, fryma e Perëndisë, të prehet mbi ta’.—1 Pjetrit 4:12-14.