11 NËNTOR 2019
RUSI
Gjykata ruse dënon vëlla Klimovin me 6 vite burg, dënimi më i ashpër që nga ndalimi i 2017-s
PËRDITËSIM | Gjykata ruse e Kasacionit hedh poshtë apelimin
Më 27 janar 2022, Gjykata e Kasacionit e Juridiksionit të Tetë hodhi poshtë apelimin e vëlla Sergej Klimovit. Ai vazhdon të mbetet në burg.
Më 5 nëntor 2019, Gjykata e Krahinës së Oktabërskit në Tomsk dënoi vëlla Sergej Klimovin me 6 vite burg. I vetmi vëlla tjetër që është dënuar po kaq gjatë në Rusi është Denis Kristenseni. Gjithsesi, në rastin e vëlla Klimovit gjykata ka vendosur disa kufizime të tjera, të cilat e bëjnë këtë dënim më të ashprin për një Dëshmitar që kur Gjykata e Lartë ndaloi veprën në 2017-n.
Vëlla Klimovin e arrestuan më 3 qershor të 2018-s, pasi policia dhe forcat speciale bastisën 2 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait. Ata morën në pyetje rreth 30 vëllezër e motra, përfshirë një 83-vjeçare. Pastaj i liruan të gjithë, përveç vëlla Klimovit. E akuzuan penalisht dhe një gjykatë vendosi ta linte në paraburgim për 2 muaj. Ia shtynë dënimin 7 herë. Pra, që para se të dënohej me 6 vjet, vëlla Klimovi ka qenë i burgosur dhe larg gruas e familjes për 1 vit e 5 muaj.
Avokatët e vëlla Klimovit do ta apelojnë vendimin. Gjithashtu, më 20 gusht të vitit 2018 i paraqitën një ankesë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut Klimovi kundër Rusisë, në lidhje me paraburgimin.
Gjatë vitit 2019, në Rusi është rritur numri i bastisjeve, i arrestimeve dhe i burgosjeve. Prapëseprapë, vëllezërit tanë të guximshëm po qëndrojnë besnikë. Marrim forcë kur shohim se Jehovai po i bekon vëllezërit që mbështeten plotësisht tek Ai.—Psalmi 56:1-5, 9.