18 DHJETOR 2020
RUSI
Gjykata ruse dënon vëllezërit Nikolaj Kuziçkinin dhe Vjaçeslav Popovin
Data e vendimit
Më 18 dhjetor 2020 Gjykata e Krahinës së Kostinskijt në Soçi dënoi vëllezërit Nikolaj Kuziçkinin dhe Vjaçeslav Popovin. Gjykata dënoi me një vit e një muaj burg Nikolajin dhe një vit e dhjetë muaj burg Vjaçeslavin. Megjithatë, dënimi për të dy quhet i përfunduar, meqë këtë periudhë e kanë kaluar në paraburgim. Vjaçeslavi, që është akoma në paraburgim, do të lirohet sapo të hyjë në fuqi vendimi. Ndërsa Nikolaji u lirua nga arresti i shtëpisë.
Të dhëna
Nikolaj Kuziçkini
Lindur: 1951 (Rajoni i Kostromës)
Biografia: Pasi mbaroi shkollën e muzikës, filloi karrierën si akordues pianoje. Bashkë me të shoqen, Olgën, kanë rritur tre djem. Është edhe bletërritës i zoti
Nisi të studiojë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në fillim të viteve 90. Ngaqë po e shihte me sytë e tij se profecitë e Biblës po përmbusheshin, u nxit t’i kushtonte jetën Perëndisë dhe u pagëzua më 1993
Vjaçeslav Popovi
Lindur: 1974 (Tomsk)
Biografia: Që i vogël kishte prirje si artist dhe u bë arkitekt i ambienteve të brendshme. U njoh me bashkëshorten, Julian, kur ishin në universitet dhe u martuan më 1998. Ata kanë një vajzë dhe dy djem. U transferuan në Soçi në vitin 2010. Si familje u pëlqen të bëjnë ski dhe të shkojnë në bregdet
Julia ishte e para që e studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Pasi Vjaçislavit i vdiq i ati, gjeti ngushëllim nga e vërteta e Biblës. Ai u pagëzua në vitin 2004
Historiku i çështjes
Mbrëmjen e 10 tetorit 2019, një grup policësh të armatosur të shërbimit sekret, disa prej të cilëve me qen, bastisën 36 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në Soçi, Rusi.
Të rinj e të moshuar i shtrinë me fytyrë përtokë ndërsa u kontrollonin shtëpitë. U sekuestruan çdo gjë: celularët, tabletat, kompjuterët, botimet, blloqet e shënimeve, madje edhe kartolinat. Në disa raste policët kishin vënë botime fshehurazi. Si pasojë arrestuan vëllezërit Nikolaj Kuziçkinin dhe Vjaçeslav Popovin. Të nesërmen i futën në paraburgim.
Vëlla Kuziçkini vuan nga disa sëmundje të rënda. Autoritetet gjyqësore i mohuan vazhdimisht kërkesat e tij për kujdes mjekësor, duke thënë se gjendja e tij nuk përputhet me «listën e sëmundjeve që e përjashtojnë nga burgosja». Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua edhe më tepër kur e futën në një qeli të tejmbushur me të burgosur që pinin duhan.
Edhe pse kushtet në burg i rrezikonin jetën, Nikolaji u shpreh: «Burgu është si një skaner; nxjerr në pah cilësitë e brendshme të një të krishteri ose tregon nëse i ka apo jo.» Në vend që të përqendrohej te vetja, Nikolaji njihej si njeri paqësor e i mirë, që përpiqej fort të ndihmonte të burgosurit e tjerë që vuanin nga depresioni ose që kishin mendime vetëvrasëse.
Më 22 prill 2020, pasi ia zgjatën 6 herë paraburgimin, e transferuan në arrest shtëpie. Ishte fare i pafuqishëm dhe mezi rrinte në këmbë. Vetëm atëherë e lejuan të merrte kujdes shëndetësor.
Vjaçeslavit ia shtynë paraburgimin 14 herë, duke e lënë larg familjes më shumë se një vit.
I falënderojmë të dy vëllezërit për shembujt e tyre të besimit dhe të vendosmërisë për të mbështetur sovranitetin e Jehovait. Ata po jetojnë në përputhje me fjalët e Psalmit 16:8: «E mbaj Jehovain gjithnjë para syve. Ai është në të djathtën time, ndaj nuk do të lëkundem kurrë.»