Kalo te përmbajtja

Vëlla Dimitri Barmakini me gruan, Jelenën, pasi doli nga burgu

19 NËNTOR 2019
RUSI

Gjykata ruse liron vëlla Dimitri Barmakinin pas 447 ditësh në burg

Gjykata ruse liron vëlla Dimitri Barmakinin pas 447 ditësh në burg

Më 18 tetor 2019 vëlla Dimitri Barmakinin e transferuan në arrest shtëpie pas 447 ditësh në paraburgim. Tani është prapë me të shoqen, Jelenën, me të cilën u martua 13 vjet më parë.

Dimitrin e arrestuan më 28 korrik 2018 kur policë të armatosur dhe të maskuar hynë me forcë në shtëpinë e gjyshes 90-vjeçare të gruas së tij ndërsa ai ishte aty për ta takuar. Atë e akuzuan për pjesëmarrje në mbledhjet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait. Prandaj, Gjykata e Krahinës së Pervoreçenskijt në Vladivostok urdhëroi ta linin në paraburgim për dy muaj, por më vonë ia zgjati dënimin tetë herë.

Në një nga seancat gjyqësore, gjykata e përshkroi adhurimin paqësor të vëlla Barmakinit si «krim kundër parimeve themelore kushtetuese dhe sigurisë së shtetit». Kjo akuzë e rreme bie në kundërshtim me atë që thuhet qartë te neni 28 i Kushtetutës së Federatës Ruse se të gjithë mund «t’i zgjedhin lirisht bindjet fetare dhe bindje të tjera, t’u përmbahen atyre, të flasin për to me të tjerët dhe të veprojnë në përputhje me to».

Jemi të kënaqur që gjykatësi Stanislav Salnikov i Gjykatës Krahinore të Pervoreçenskijt në Vladivostok urdhëroi që vëlla Barmakini të lirohej nga burgu, edhe pse do të jetë akoma nën hetim.

Kemi besim se Jehovai do të vazhdojë t’i forcojë e t’u japë zemër vëllezërve e motrave rusë, sidomos atyre që janë në burg dhe në arrest shtëpie. Vëllezër si Barmakini, janë shembuj të shkëlqyer guximi dhe besnikërie për bashkëbesimtarët në të gjithë botën.—Filipianëve 1:13, 14.