Kalo te përmbajtja

Nga e majta: motrat Julja Miretski, Elvira Gridasovi, Jevgenia Lagunova, Tatjana Budençuku dhe Nadjezhda Germani jashtë burgut të Orenburgut në shkurt 2020

23 QERSHOR 2021
RUSI

Gratë e vëllezërve të burgosur në Rusi mbështeten te Jehovai për të përballuar sfida unike

Gratë e vëllezërve të burgosur në Rusi mbështeten te Jehovai për të përballuar sfida unike

Kur vëllezërit tanë në Rusi, që janë bashkëshortë dhe baballarë, burgosen për shkak të besimit, vështirësitë nuk kufizohen vetëm brenda mureve të burgut. Bashkëshortet dhe fëmijët e tyre duhet të përballojnë ankthin që sjell ndarja dhe vështirësi të tjera. Dhjetë bashkëshorte firmosën një letër të përbashkët drejtuar autoriteteve ruse, ku përshkruan hapur ndjenjat e tyre. Aty thuhet: «Kjo letër e hapur për ju është një thirrje dëshpërimi. Njerëzit tanë të shtrenjtë . . . i kanë futur pas hekurave vetëm për arsye se ata, bashkë me ne, me fëmijët tanë dhe me miqtë lexojmë urdhërimet e Biblës dhe i lutemi Perëndisë.»

Disa nga motrat tona të dashura shpjegojnë sfidat unike që kanë përballuar dhe si po i ndihmon Jehovai të përballojnë problemet që ka shkaktuar burgosja e bashkëshortëve të tyre.

Komunikimi dhe vizitat

Shumë prej tyre nuk kanë mundësi të komunikojnë nëpërmjet telefonit me bashkëshortët për shkak të problemeve teknike. Gjithashtu, letrat që dërgojnë në burg, mund t’u kalohen jashtëzakonisht vonë burrave të tyre, në mos nuk u kalohen fare.

Burri i motër Jevgenia Lagunovës, Feliks Mahamadievi, qëndroi në burg më tepër se dy vjet. Ndonjëherë, asaj nuk i vinte asnjë letër prej tij për shumë kohë. Jevgenia tregon se e kishte tejet të vështirë kur nuk e dinte nëse i shoqi ishte mirë me shëndet dhe nëse ndihej i harruar, meqë mund të mos ia kishin kaluar letrat e saj.

Shumë prej motrave duhet të udhëtojnë me orë të tëra për të vizituar në burg burrat e tyre. (Shih kutinë «Distancat që duhet të përshkojnë gratë për të vizituar bashkëshortët».) Për shembull, Jevgenia shpjegon: «Kam udhëtuar mbi 800 kilometra me makinë që të vizitoj burrin tim në burg.» Mesatarisht i është dashur tri ose katër ditë që të shkonte për të vizituar burrin në burg e pastaj të kthehej në shtëpi. Motra të tjera bëjnë deri në 1.000 kilometra rrugë. Kur arrijnë në burg, shpesh duhet të presin goxha në radhë para se të futen.

Burri i motër Irina Kristensenit, Denisi, ishte Dëshmitari i parë që u burgos në Rusi pas ndalimit të vitit 2017. Ajo bën rregullisht 200 kilometra rrugë nga shtëpia e saj në Oriol deri në Lgov, për të vizituar Denisin në burg. Irina tregon: «Është e vështirë të shkosh në burg, si fizikisht edhe emocionalisht. Më duhet të nisem në 3.30 të mëngjesit që të arrij atje në 8.00 të mëngjesit për të paraqitur dokumentet e nevojshme. Pastaj më duhet të pres në makinën time deri në orën 11.00 të paradites kur fillojnë vizitat.» Kur të tjerët e pyesin si e përballon këtë situatë, ajo thotë: «I lutem shumë Jehovait dhe i kërkoj të më mbështetë mua dhe gjithë bashkëbesimtarët tanë—ata që kemi afër, ata që janë në burgje dhe të gjithë motrat e vëllezërit anekënd botës.»

Vetmia

Motër Nadjezhda Germani ka qëndruar larg burrit të saj, Ginadit, mbi dy vjet. Njësoj si gratë e tjera në të njëjtën situatë, edhe ajo duhet të përballojë vetminë që i ka shkaktuar ndarja nga i shoqi. Megjithatë thotë: «Kongregacioni është bërë familja ime edhe më shumë se më parë. Dashuria dhe meraku i tyre i sinqertë për mua dhe për bashkëshortin tim janë më se të dukshme.»

Motër Julja Miretski, burri i së cilës, Aleksei, është në burg me Ginadin, shton: «Vëllezërit e motrat më ndihmojnë me punët përreth shtëpisë. Marr shumë zemër kur e di se kam miq ku mund të mbështetem dhe që janë gati të më ndihmojnë.»

Rritja e fëmijëve

Motër Tatjana Budençuku po kujdeset për dy fëmijët pa burrin e saj, Aleksein, që po vuan dënimin me burg që nga shtatori i 2019-s. Ajo thotë: «Fëmijët përpiqen të përqendrohen te bekimet, tek ajo që na jep Jehovai dhe te fakti që Ai na mbështet gjithmonë. E dinë se kjo sprovë është e përkohshme dhe se ky është momenti për të treguar besim dhe besnikëri ndaj Jehovait.»

Motër Natalia Filatovi, burrin e së cilës, Sergei Filatovin, e dënuan me gjashtë vite burg në mars 2020, po rrit e vetme katër fëmijët e tyre. Ajo thotë për fëmijët: «Shoh që i mungon babi dhe janë në merak nëse është mirë. I shprehin në lutje këto shqetësime. Vajza e vogël i shkruan letra të atit dhe e siguron që jemi mirë dhe që ai nuk duhet të ketë fare merak. Por do të jetë më mirë kur ai të kthehet në shtëpi pranë familjes.»

Kjo familje po mundohet shumë të zbatojë këshillën e Biblës për të bërë një jetë të thjeshtë. Natalia tregon: «Kemi mësuar të jetojmë me aq sa kemi dhe të mos harxhojmë për gjëra që s’na duhen vërtet. Kemi mjaftueshëm të ardhura për të mbuluar shpenzimet e përditshme dhe për nevoja të tjera.»

Qëndrojnë të fortë në besim

Pavarësisht nga këto vështirësi, motrat po qëndrojnë të forta, duke vazhduar programin e tyre besimforcues. Julja shpjegon: «Përpiqem të jem e përditësuar me çdo botim të ri. Mund të them se studioj për dy veta, sepse, kur flas me Aleksein, përpiqem të kujtoj dhe t’i tregoj idetë kryesore.» Nadjezhda tregon: «Nuk ka problem që të mos zgjidhet dot me ndihmën e Jehovait! E kam pranë Perëndinë gjatë gjithë kohës. Ndihem si një vajzë e vogël në krahët e Atit tim të plotfuqishëm dhe, kur ndihmoj të tjerët, ndihmoj veten.»

Edhe Natalia komenton: «Më kujtohet diçka që tha një motër: ‘Nuk ka asnjë në popullin e Perëndisë që të mos ketë nevojë për ngushëllim. Nga ana tjetër nuk ekziston askush nga populli i tij që të mos jetë në gjendje të ngushëllojë të tjerët.’ Përveç kësaj, se ç’ndiej një kënaqësi kur mund t’i jap zemër dikujt tjetër.» Natalia shton: «Përpiqem të mos e mëshiroj veten ose të mos dëshpërohem, edhe pse është tepër e vështirë si emocionalisht edhe fizikisht të jem e vetme, pa burrin. Nuk i jap mundësi Satanait të më shkurajojë.»

Të gjithë vëllezërit e motrat nëpër botë i çmojnë jashtë mase besnikërinë dhe qëndrueshmërinë e atyre që kanë familjarë të burgosur në Rusi dhe në vende të tjera. S’kemi pikë dyshimi se Jehovai i vlerëson këta shërbëtorë të shtrenjtë që janë vërtet ‘të çmuar në sytë e tij’.—Isaia 43:4a.