Kalo te përmbajtja

25 MAJ 2020
RUSI

I burgosur në Rusi prej tre vjetësh, Denis Kristenseni qëndron i fortë dhe i gëzuar

I burgosur në Rusi prej tre vjetësh, Denis Kristenseni qëndron i fortë dhe i gëzuar

Tre vjet më parë, më 25 maj 2017, vëlla Denis Kristenseni u burgos padrejtësisht në Rusi. Disa vëllezër e kanë pyetur vëlla Kristensenin si kanë ndikuar këto vështirësi te besimi i tij, dhe ai përgjigjet si gjithmonë: «Besimi im është shumë më i fortë.»

Ai thotë: «Kam përjetuar atë që thuhet te libri i Jakovit, kapitulli 1, vargjet 2 dhe 3: ‘Konsiderojeni veçse gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme, sepse e dini se cilësia e besimit tuaj të sprovuar sjell qëndrueshmëri.’»

Të bën jashtëzakonisht përshtypje sa shumë i është forcuar besimi, e madje i është shtuar gëzimi, vëlla Kristensenit mes gjithë vështirësive dhe zhgënjimeve të shumta.

Menjëherë pas arrestimit e mbajtën në paraburgim jo shumë larg shtëpisë së vet në Oriol. Me kalimin e kohës, bashkëshortes, Irinës, iu dha leja ta vizitonte. Vëlla Kristenseni qëndroi në paraburgim për më shumë se dy vjet. Në shkurt të 2019-s, vëlla Kristenseni u dënua me 6 vjet burg. Tre muaj më vonë, iu refuzua apeli. Pas kësaj e transferuan në një burg rreth 200 kilometra larg Oriolit, akoma më larg Irinës.

U bë thuajse një vit që vëlla Kristenseni është kualifikuar për të drejtën e lirimit të parakohshëm. Por tre nga katër aplikimet e tij tashmë janë refuzuar. Pavarësisht nga këto arsye për t’u ndier i zhgënjyer, vëlla Kristenseni qëndron i fortë.

Vëlla Kristenseni me përulësi pranon: «Unë dhe Irina nuk jemi aspak të përsosur, por kemi mësuar të qëndrojmë të fortë e të lumtur në sprova. E mbi të gjitha jemi afruar edhe më shumë me Perëndinë dhe Atin tonë, Jehovain.»

Lutemi me besim që Jehovai të vazhdojë t’i ndihmojë të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë të dashur në Rusi që të mos humbasin gëzimin ndërsa përballojnë përndjekjen.—Mateu 5:11, 12.