Kalo te përmbajtja

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës monitoron zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

21 DHJETOR 2022
RUSI

Këshilli i Evropës nxit Rusinë të heqë ndalimin e Dëshmitarëve të Jehovait

Këshilli i Evropës nxit Rusinë të heqë ndalimin e Dëshmitarëve të Jehovait

Në një letër drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë më 9 dhjetor 2022, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës (KE) e nxiste Rusinë të respektonte vendimet e fundit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Ndër vendimet përfshihet edhe vendimi historik që u mor në qershor të 2022-shit, ku thuhej se ndalimi i Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi ishte i paligjshëm. a

Letra i rikujtonte Rusisë se, megjithëse në mars 2022 vendosi të mos ishte më anëtare e KE-së, prapëseprapë qeveria ka detyrimin të zbatojë vendimet që ka marrë GJEDNJ-ja deri më 16 shtator 2022. Për më tepër, zbatimi i vendimeve të Gjykatës do të vazhdojë të mbikëqyret nga Komiteti i Ministrave të KE-së.

Që prej qershorit 2022, Komiteti e ka nxitur me forcë Rusinë të anulojë vendimin e vitit 2017 të Gjykatës së Lartë, i cili ndaloi aktivitetet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait. Gjithashtu, Komiteti i ka bërë thirrje Rusisë «të rishikojë ligjin kundër ekstremizmit që i shpall Dëshmitarët e Jehovait organizatë ekstremiste . . . ; të ndalojë të gjitha ndjekjet penale kundër Dëshmitarëve të Jehovait dhe të lirojë ata që janë në burg, të zhbëjë plotësisht dëmet që kanë sjellë dënimet, si edhe t’u kthejë aplikantëve pronat e konfiskuara ose të paguajë dëmshpërblim për to». b

Deri më sot, për shkak të ndalimit janë ndjekur penalisht mbi 600 vëllezër e motra, thjesht se praktikojnë besimin e tyre në mënyrë paqësore. Më tepër se 360 Dëshmitarë kanë kaluar njëfarë kohe në burg, 114 prej të cilëve janë aktualisht në burg ose në paraburgim.

Mbi 450 vëllezër e motra i janë shtuar listës federale Ruse të ekstremistëve dhe të terroristëve. Kjo ua ka vështirësuar jetën atyre dhe familjeve të tyre. Meqë janë në këtë listë, të cilën mund ta shohë kushdo, kanë një reputacion të keq dhe mezi gjejnë punë. Gjithashtu u kanë bllokuar llogaritë bankare, mezi ia dalin të marrin ose të rinovojnë siguracionet, të shesin pronat, të menaxhojnë investimet, të përfitojnë trashëgimitë e madje të blejnë numra celulari.

Jemi të kënaqur që KE-ja po bën përpjekje të vihet në vend drejtësia për vëllezërit e motrat në Rusi. Ndërkohë vëllazëria mbarëbotërore po merr jashtë mase zemër nga raportet e rregullta në jw.org që flasin për besimin, guximin dhe gëzimin që shfaqin vëllezërit në Rusi, falë Jehovait.—Filipianëve 1:12-14.

a Shih paragrafët tre dhe pesë të H46-33 Dëshmitarët e Jehovait në Moskë dhe të tjerë kundër Rusisë (Aplikimi nr. 302/​02) dhe Krupko dhe të tjerë (Aplikimi nr. 26587/​07) kundër Federatës Ruse.

b Shih paragrafin katër të H46-33 Dëshmitarët e Jehovait në Moskë dhe të tjerë kundër Rusisë (Aplikimi nr. 302/​02) dhe Krupko dhe të tjerë (Aplikimi nr. 26587/​07) kundër Federatës Ruse.