24 MARS 2021
RUSI
Katër vëllezër në Smolensk qëndrojnë përballë përndjekjes së egër dhe burgosjes për shkak të besimit
PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin
Më 31 gusht 2021, Gjykata e Krahinës së Smolenskut hodhi poshtë apelimet e vëllezërve Jevgeni Deshko, Ruslan Koroljovi dhe Valeri Shalevi. Mbeten në fuqi vendimet e tyre fillestare. Ata nuk duhet të futen në burg për momentin.
Gjykata ruse deklaron fajtorë për «ekstremizëm» tre vëllezër
Më 23 prill 2021, Gjykata e Krahinës Industriale në Smolensk i shpalli fajtorë vëllezërit Jevgeni Deshko, Ruslan Koroljovi dhe Valeri Shalevi. Vëllezërit Korojlov dhe Shalev i dënuan me 6 vite e gjysmë vënie në provë. Kurse vëlla Deshkon e dënuan me 6 vite vënie në provë.
Të dhëna
Jevgeni Deshko
Lindur: 1989 (Soçi)
Biografia: Ka punuar si masazhator, shofer dhe elektricist. E kanë rritur prindër Dëshmitarë. Pasi zhvilloi respekt të thellë për normat e Biblës, nuk pranoi të hynte në ushtri. U pagëzua në vitin 2012. Në vitet 2012-2014 ka kryer shërbim civil alternativ si asistent në një spital
Ruslan Koroljovi
Lindur: 1982 (Smolensk)
Biografia: Kur ishte i vogël, i pëlqente të riparonte pajisjet elektronike. Më vonë u bë mekanik. Ka shërbyer në ushtrinë ruse. Filloi të studionte me Dëshmitarët e Jehovait dhe u kënaq shumë me të vërtetat e Biblës. U pagëzua në vitin 2004
Viktor Malkovi
Lindur: 1959 (Smolensk)
Biografia: Ka punuar si mekanik, zdrukthëtar dhe ka rregulluar çati. U martua me Verën në vitin 1992. Që kur ishte fëmijë, i ka pëlqyer të luajë futboll. Ndihmonte të vëllanë që ka probleme me shikimin
Ngaqë ka qenë shumë i dhunshëm, ka bërë 7 vite burg. Martesa e tij ishte në prag të divorcit. Por, pasi studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, u bë njeri paqësor që u bindej ligjeve dhe bashkëshort shembullor. U pagëzua në vitin 2008. Viktori vdiq më 26 prill 2020
Valeri Shalevi
Lindur: 1977 (Jartsevo)
Biografia: Ka studiuar gjuhën angleze kur ishte fëmijë. U diplomua në një shkollë ushtarake. U transferua në skajin lindor të Rusisë që të punonte si llogaritar për ushtrinë. Pasi u largua nga ushtria, ka punuar si konsulent financiar. Më 1999 u martua me Svetlanën, të cilën e kishte njohur në shkollë, dhe adoptoi djalin e saj 4-vjeçar. I pëlqen të luajë futboll dhe të vrapojë
E ëma filloi të studiojë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe i tregonte atij atë që mësonte. Ai u përpoq ta hidhte poshtë besimin e saj të ri, mirëpo arriti të kuptonte se kjo ishte e vërteta, dhe u pagëzua në vitin 2002
Historiku i çështjes
Përndjekja në Smolensk nisi para vitit 2017 kur Gjykata e Lartë vendosi ta shpallte të jashtëligjshme veprimtarinë e vëllezërve tanë në Rusi. Më 18 dhjetor 2016, 15 policë të armatosur ndërprenë një mbledhje kongregacioni në një Sallë Mbretërie në Smolensk, ku ishin të pranishëm gati 60 vëllezër e motra. Gjatë bastisjes, vendosën fshehurazi botime që qeveria ruse i kishte klasifikuar si «materiale ekstremiste» dhe «i gjetën».
Gjatë viteve 2018-2019 vijuan kontrolle pa fund, arrestime dhe burgosje. Më 25 prill 2019, policët bastisën disa shtëpi dhe arrestuan vëllezërit Ruslan Koroljovin, Valeri Shalevin dhe Viktor Malkovin. Viktori i pyeti policët: «Kalova 7 vjet në burg ngaqë isha i dhunshëm, pastaj u bëra Dëshmitar i Jehovait. Tani ju doni të më futni në burg ngaqë predikoj lajmin e mirë?!»
Vëlla Jevgeni Deshkon e arrestuan dhe e burgosën ca ditë pas vëllezërve të tjerë. Ai komenton: «E kuptova se mund të më arrestonin edhe mua, kështu që isha gati ta pranoja.» Ai po inkurajohet vazhdimisht nga fjalët që Jehovai i tha Josiut: «Ji i fortë dhe guximtar. Mos u tmerro e mos u frikëso, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty kudo që të shkosh.» (Josiu 1:9) Më tej shpjegon: «Në këtë varg, Jehovai na kërkon të jemi guximtarë, por edhe premton se do të na ndihmojë.»
Kur ishte në burg, Ruslani meditonte për fjalët e Jezuit te Mateu 6:34. Në vend që të merakosej për atë që mund t’i ndodhte, ai shprehet: «Tërë kohën shkruaja letra, lexoja Biblën dhe u flisja për të vërtetën shokëve të qelisë. Në të vërtetë s’kisha kohë të më mbyste ankthi.»
Në mars 2020, një hetues i Shërbimit të Sigurimit Federal G. P. Bezrukovi, ua pakësoi kufizimet të katër vëllezërve, duke i dhënë fund arrestit të shtëpisë. Ata kaluan gati një vit në burg dhe në arrest shtëpie. Vëllezërve tanë besnikë iu dha më shumë liri, sepse iu bindën autoriteteve dhe ruajtën qetësinë ndërsa ishin në burg. Hetuesi ishte i sigurt se po t’u jepte më shumë liri, vëllezërit nuk do të bënin asgjë për ta penguar të bënte punën e tij dhe se nuk do të ishin të dhunshëm po t’i merrnin sërish në pyetje.
Mjerisht, Viktori vdiq pak pas kësaj. Shumë mendojnë se ai u sëmur rëndë dhe vdiq për shkak të kushteve të këqija në paraburgim dhe për shkak të stresit gjatë procesit të hetimit.
Ruslani, Valeri dhe Jevgeni janë të vendosur të ndjekin shembullin e Viktorit dhe të shumë të tjerëve që mbetën besnikë deri në fund. Duke u përqendruar te marrëdhënia e tyre me Jehovain, jo vetëm që po përballojnë përndjekjen, por edhe po ruajnë gëzimin.
Valeri thotë: «Pas burgosjes, jam lidhur edhe më ngushtë me Jehovain. Kurrë nuk kam pasur një marrëdhënie kaq të fortë me të. E lexoj rregullisht Biblën. Burgu nuk është vendi më i mirë ku mund të jesh, por atje, njerëzit ia dalin mbanë edhe pa mbështetjen e Jehovait. Prandaj, aq më tepër ia dalim mbanë ne që kemi mbështetjen e Tij.»
Jevgeni thotë se tani është edhe më i bindur se Jehovai na ndihmon: «Jam i bindur se Ati ynë na ndihmon, sidomos kur kalojmë sprova goxha të vështira. Ndaj tani nuk shqetësohem më aq shumë për sprovat që mund të kem në të ardhmen.»
Sido që të vendosë gjykata, Jevgeni thotë: «Jam i vendosur të bëj gjithë sa mundem që të qëndroj në tërë këto vështirësi dhe të mbetem besnik.»
Me ndihmën e Jehovait, jemi të bindur se këta vëllezër dhe familjet e tyre do të vazhdojnë të qëndrojnë me gëzim gjatë kësaj periudhe të vështirë.—2 Selanikasve 3:5.