14 TETOR 2019
RUSI
Komentet përmbyllëse të vëlla Valeri Moskalenkos
Të premten, më 30 gusht 2019, vëlla Valeri Moskalenko dha komentet përmbyllëse në gjykatë. Në vijim renditen disa komente (të përkthyera nga rusishtja) të dëshmisë së tij.
I nderuar gjykatës dhe pjesëmarrës të respektuar. Jam 52 vjeç dhe përgjatë vitit të kaluar kam qenë në burg. Tamam-tamam ka kaluar më shumë se 1 vit.
Në komentet e mia të fundit në këtë seancë kam dëshirë t’ju flas shkurtimisht për veten. Dua t’ju tregoj ç’mendoj për akuzën që kanë ngritur kundër meje dhe për pikëpamjen time për jetën. Z. gjykatës, shpresoj shumë që të kuptoni arsyen pse nuk do të heq dorë nga besimi te Perëndia dhe pse nuk është krim që të besosh tek Ai.
Nuk kam qenë gjithmonë Dëshmitar i Jehovait. Prindërit e mi ishin njerëz të mirë dhe më kanë edukuar siç duhet. Prapëseprapë, që kur isha fëmijë, më shqetësonin tej mase padrejtësitë që shihja përreth. Pyesja veten: «Si është e mundur që të këqijtë dhe gënjeshtarët lulëzojnë, ndërsa të ndershmit e të mirët vuajnë?»
Kur isha 24 vjeç, fillova të studioja seriozisht Biblën dhe pas disa muajsh gjeta përgjigjet e pyetjeve të mia.
Që atëherë, para se të marr një vendim, mendoj për ndjenjat e Perëndisë, për parimet e për ligjet e tij. Ato përshkruhen me hollësi në Bibël dhe mund të mësojmë më tepër për to teksa studiojmë jetën e adhuruesve të Perëndisë në të shkuarën.
Jetoj me nënën, që është e moshuar dhe ka nevojë për mua. Më 1 gusht 2018, ndërsa ajo ishte vetëm në shtëpi, hetuesi i Shërbimit të Sigurimit Federal (SHSF) udhëzoi Forcat Speciale që të sharronin menteshat e derës kryesore. Ky ishte plani i hetuesit që të hynte në apartament për ta kontrolluar.
Nëna u tremb jashtë mase. Pasi Forcat Speciale të maskuara hynë me forcë në apartament, ajo pësoi infarkt dhe u desh të thirrnin ambulancën. U nisa direkt pasi e mora vesh dhe arrita pas 30 minutash. Kur e pashë në atë gjendje, m’u rrit tensioni. Gjithsesi nuk u acarova dhe u përpoqa të ruaja qetësinë. U tregova i sjellshëm siç pritet nga një i krishterë. Kështu më ka mësuar Jehovai, Perëndia im, dhe dua ta kënaq atë.
I nderuar z. gjykatës, më vjen keq që po flas kaq shumë për veten se nuk e kam zakon. Ama, sot jam i detyruar.
Jam Dëshmitar i Jehovait prej më shumë se 25 vjetësh. Kjo është një pjesë e mirë e jetës sime dhe gjatë gjithë kësaj kohe askush nuk më ka quajtur ekstremist. Përkundrazi, njihem si komshi i mirë, punëtor i ndërgjegjshëm dhe djalë i kujdesshëm.
Papritur, që nga 20 prilli i 2017-s më kanë konsideruar ekstremist. Mbi ç’bazë? Çfarë ka ndryshuar? A jam bërë i keq? Jo. A jam i dhunshëm ose a i kam shkaktuar dhembje e vuajtje ndokujt? Jo. A kam humbur gjë të drejtën që ma garanton neni 28 i Kushtetutës së Rusisë? Prapë jo. Emri im nuk është në listën e ndaluar nga Gjykata e Lartë. Askush nuk më ka ndaluar të përdor Kushtetutën e Federatës Ruse, veçanërisht nenin 28. Atëherë pse jam ulur në karrigen e të akuzuarit?
Nga biseda që bëra me hetuesin dallova edhe më qartë se isha arrestuar dhe burgosur, sepse adhuroj Perëndinë e Plotfuqishëm, Jehova, dhe përdor emrin e tij kur lutem e kur flas. Mirëpo ky nuk është krim. Vetë Perëndia e ka zgjedhur emrin e tij dhe është siguruar që të regjistrohet në Bibël.
E them përsëri, as e imagjinoj fare që të veproj kundër vullnetit të Perëndisë, të shprehur qartë në Bibël, pavarësisht nëse më bëjnë presion a më ndëshkojnë. Madje, edhe nëse më dënojnë me vdekje, deklaroj se nuk kam për ta braktisur Krijuesin e Plotfuqishëm të universit, Perëndinë Jehova.
Z. gjykatës, Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur anembanë botës si njerëz miqësorë dhe paqedashës. E drejta e tyre për të adhuruar Perëndinë respektohet në pjesën më të madhe të botës. Do të doja shumë që kjo e drejtë të respektohej edhe këtu në Rusi, që edhe unë ta adhuroj lirisht Perëndinë.
Jam i pafajshëm për të gjitha akuzat që më kanë bërë dhe do të doja që gjykata të mos më shpallte fajtor.
Faleminderit!