Kalo te përmbajtja

Më 1 prill 2021 në Moskë u mbajt një konferencë shtypi për 70-vjetorin e internimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Siberi

5 PRILL 2021
RUSI

Konferencë shtypi në Moskë për 70-vjetorin e Operacionit të Veriut

Internimi i gati 10.000 Dëshmitarëve të Jehovait në Siberi

Konferencë shtypi në Moskë për 70-vjetorin e Operacionit të Veriut

Më 1 prill 2021, në Moskë u mbajt një konferencë shtypi për 70-vjetorin e Operacionit të Veriut. Gjatë atij operacioni të vitit 1951, u internuan gati 10.000 Dëshmitarë të Jehovait nga gjashtë republika të ish-Bashkimit Sovjetik dhe u dërguan me tren për në Siberi. Në këtë konferencë foli një panel prej gjashtë vetash, ndër ta studiues dhe ekspertë të të drejtave të njeriut, dhe iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve. Ky panel jo vetëm tregoi historinë e Operacionit të Veriut, por e lidhi këtë ngjarje edhe me përndjekjen që po ndodh aktualisht në Rusi. Kjo konferencë u transmetua e plotë drejtpërsëdrejti në Internet.

Jaroslav Sivulski, përfaqësues i Shoqatës Evropiane të Dëshmitarëve të Jehovait, familja e të cilit është prekur drejtpërdrejt nga Operacioni i Veriut, foli gjerë e gjatë për mënyrën çnjerëzore si u internuan tërë ata njerëz. Sivulski tha: «Duke kërkuar nëpër arkiva, konfirmuam se janë internuar gjithsej 9.793 Dëshmitarë të Jehovait me familjet e tyre. Në këtë shifër përfshihen edhe ata që vdiqën ose që lindën gjatë rrugës.»

Sergei Ivanenko, një studiues fetar rus, shpjegoi rolin që pati propaganda sovjetike kundër Dëshmitarëve të Jehovait në Operacionin e Veriut, si edhe rolin e saj në përndjekjen që po ndodh sot në Rusinë moderne. Gjatë analizës së tij të hollësishme, Ivanenko tërhoqi vëmendjen te qëndrueshmëria dhe integriteti i Dëshmitarëve: «Shtypja e egër e qeverisë kundër Dëshmitarëve të Jehovait, e cila po vazhdon në Federatën Ruse që nga viti 2017, është e kotë. Dëshmitarët që nuk u përkulën para Operacionit të Veriut dhe Dëshmitarët në Rusi sot që janë të vendosur të mbrojnë bindjet e tyre, dëshmojnë se përpjekjet për t’i ndaluar që të adhurojnë Perëndinë, nuk do të kenë kurrfarë rezultati. Nga pikëpamja e interesave kombëtare të Rusisë, duket se zgjidhja më e mirë është që të marrin masa për të hequr ndalimin kundër Dëshmitarëve të Jehovait dhe aktiviteteve të tyre.»

Artur Artemjevi, një studiues fetar kazak dhe autor i botimit Jehovah’s Witnesses in Kazakhstan: A Social-Historical and Religious Analysis (i rishikuar në vitin 2020), theksoi se as taktikat sovjetike më brutale nuk i eliminuan dot Dëshmitarët e Jehovait, madje as nuk ua ulën sadopak zellin. Përkundrazi, gjatë sundimit sovjetik, numri i Dëshmitarëve të Jehovait në vendin e tij u rrit. Po kështu, Valeri Borshevi, ekspert i të drejtave të njeriut dhe anëtar i Grupit të Helsinkit në Moskë, komenton: «Përndjekja vetëm sa i bën më të fortë Dëshmitarët e Jehovait. Autoritetet duhet ta kuptojnë këtë.»

Valentin Gefteri, anëtar i Këshillit të Ekspertëve i Zyrës së Komisionerit të të Drejtave të Njeriut në Rusi, trajtoi temën «Ata që burgosen për shkak të ndërgjegjes në Rusinë moderne». Në të vërtetë, Dëshmitarët që janë burgosur në Rusi, nuk janë burgosur për arsye politike, por për arsye ndërgjegjeje. Ai theksoi: «Dëshmitarët e Jehovait nuk janë armiq të shtetit.» Më tej shpjegoi se bindjet fetare të Dëshmitarëve thjesht i motivojnë të jenë asnjanës në çështjet politike. Prandaj, autoritetet po i burgosin pa arsye dhe padrejtësisht.

I fundit foli Aleksandër Verkovski. Ai është anëtar i Këshillit Presidencial të të Drejtave të Njeriut dhe drejtor i Qendrës SOVA për Informacion dhe Analizë. Qendra SOVA monitoron nga afër dhe dokumenton të gjitha çështjet ku ligji për ekstremizmin është zbatuar në mënyrë të papërshtatshme, ndër të tjera edhe çështjet ku janë përfshirë Dëshmitarë të Jehovait. Ai i bëri një analizë përndjekjes aktuale në Rusi. «A do të ndalet kjo fushatë kundër Dëshmitarëve? Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, por nuk e dimë ende përgjigjen.» Verkovski është i bindur se herët a vonë autoritetet në Rusi duhet t’i japin fund përndjekjes kundër Dëshmitarëve të Jehovait. Ai ofroi disa opsione për ligjvënësit se si mund t’i përmirësojnë ligjet për luftën kundër ekstremizmit, në mënyrë që të sigurojnë mbrojtje më të mirë për Shtetin kundër aktiviteteve që janë vërtet ekstremiste dhe në të njëjtën kohë të mos shkelin të drejtat e besimtarëve paqësorë, siç janë Dëshmitarët.

Gazetarëve iu dha mundësia t’i bënin pyetje panelit për gjithë sa u tha.

Në të njëjtën ditë, në qytetin e Kishinaut, Moldavi, u mbajt një konferencë akademike e organizuar nga Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave në Moldavi, Universiteti Shtetëror Alecu Russo i Baltit dhe Universiteti Shtetëror Bogdan Petriceicu Hasdeu i Kahulit. Ndërkohë është planifikuar një konferencë tjetër për datën 9 prill në Ukrainë.