Kalo te përmbajtja

Vëlla Anton Ostapenko

28 PRILL 2021
RUSI

Lutjet dhe këngët e ndihmuan vëlla Anton Ostapenkon kur ishte në paraburgim

Lutjet dhe këngët e ndihmuan vëlla Anton Ostapenkon kur ishte në paraburgim

PËRDITËSIM | Gjykata ruse shpall fajtor vëlla Ostapenkon

Më 25 tetor 2021, Gjykata e Qytetit të Sharipovos në Territorin e Krasnojarskut shpalli fajtor vëlla Anton Ostapenkon dhe e dënoi me gjashtë vite e tre muaj vënie në provë. Për momentin nuk duhet të futet në burg.

Të dhëna

Anton Ostapenko

  • Lindur: 1991 (Ekibastuz, Kazakistan)

  • Biografia: Punon si inspektor bolierësh në një central elektrik. Kur ishte adoleshent, e ëma i mësoi të vërtetën e Biblës atij dhe të motrës. U pagëzua si Dëshmitar i Jehovait në vitin 2005

    Më 2015 u martua me Natalinë. Të dyve u pëlqejnë skitë dhe snowboarding. Antonit i pëlqen edhe kitara, peshkimi dhe tenisi

Historiku i çështjes

Më 19 prill 2019, autoritetet në Sharipovo kontrolluan 10 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait dhe morën në pyetje vëllezërit e motrat që gjetën nëpër shtëpi. Vëlla Anton Ostapenkon e arrestuan dhe e futën në paraburgim, ku ndenji deri më 20 dhjetor 2019. Atë e kanë akuzuar për organizim të veprimtarive të një organizate «ekstremiste».

Gjatë 6 muajve në paraburgim, ndonjëherë largohej nga kamera e sigurisë, shkonte te lavamani i qelisë dhe qante që të lehtësonte disi ankthin.

Ndërkohë lutja u bë burimi i tij kryesor i forcës. Ai tregon: «I përgjërohesha Jehovait të më ndihmonte të zhvilloja qëndrueshmëri.» Gjithashtu bëri këtë koment: «Kisha shumë për të mësuar. Në burg forcova më tej besimin. . . . Është interesante se, kur e gjen veten në rrethana të vështira [si kjo], duket se kalon nga teoria në praktikë. Në fund të fundit, në qeli nuk ke gjithmonë një Bibël. Para se të më burgosnin, thjesht lexoja për Jehovain. Por atje [në burg] Jehovai ma bëri plotësisht të qartë ç’lloj Perëndie është. Sinqerisht ju them, jam mrekulluar nga kjo! Ai u bë jo vetëm Perëndi i Plotfuqishëm, por edhe Atë i dashur që i kupton vërtet rrethanat e mia dhe më dha ndihmën e mbështetjen e nevojshme në mënyra që as më kishin vajtur ndër mend dhe gjithmonë fiks në kohën e duhur.»

Edhe këngët e Mbretërisë i dhanë zemër. Ai shprehet: «Bashkë me gruan këndonim gjithmonë këngë, dhe kështu i fiksonim mirë në mendje. Kjo më vlejti goxha në burg. Pasi fikeshin dritat, kënaqesha jashtë mase duke u lutur e duke kënduar. Kështu arrija të flija i qetë.»

Ndërsa pret si do të përfundojë çështja, Antoni po vazhdon punën. Megjithatë e ka të ndaluar të largohet nga zona e Sharipovos. Për shkak të këtij kufizimi nuk mund të shoqërojë dot të ëmën për vizitat mjekësore.

Lutemi me bindje të plotë se Jehovai do t’u japë vazhdimisht paqe vëllezërve që po përndiqen.—Gjoni 14:27.