2 PRILL 2021
RUSI
Motër Anastasia Guzevi rrezikon të burgoset për shkak të besimit
PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin
Më 2 dhjetor 2021, Gjykata e Rajonit Autonom Jude hodhi poshtë apelimin e motër Anastasia Guzevit. Kështu mbetet në fuqi dënimi i saj fillestar. Për momentin, ajo nuk duhet të futet në burg.
Më 19 gusht 2021, Gjykata e Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude e dënoi motër Guzevin me 30 muaj vënie në provë.
Të dhëna
Anastasia Guzevi
Lindur: 1979 (Birobidzhan)
Biografia: E ëma e ka rritur e vetme Anastasian dhe dy vëllezërit e saj. Kur ishte fëmijë, i pëlqente vallëzimi i sallës, leximi dhe sporti. Në moshën 10-vjeçare gjeti një Bibël në shtëpinë e gjyshes. Kjo e motivoi të mësonte më shumë për Perëndinë. Më vonë, ajo dhe e ëma studiuan Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe u pagëzuan në vitin 1995. Më 2001 u martua me Konstantinin
Historiku i çështjes
Në maj 2018, autoritetet bastisën apartamentin e Anastasias dhe Konstantinit. Në korrik të 2019-s ngritën çështje penale me akuzën për «ekstremizëm» kundër Konstantinit dhe në shkurt 2020, kundër Anastasias. Në Rajonin Autonom Jude janë hapur gjithsej 19 çështje penale kundër 23 Dëshmitarëve.
Ky hetim penal ua ka vështirësuar jashtë mase jetën e përditshme Anastasias dhe Konstantinit. Ngaqë janë akuzuar për «ekstremizëm», të dy u detyruan të hiqnin dorë nga puna e tyre në një shkollë muzike. Në shkurt 2021 Konstantinin e dënuan me dy vite e gjysmë vënie në provë.
Anastasia tregon çfarë e ka ndihmuar të qëndrojë besnike: «Është më mirë ta përgatitësh mendjen se do të hasësh përndjekje dhe të mendosh si do të veprosh në situata të vështira. Për shembull, kur lexon për ngjarjet që ndodhën në ditën e fundit të jetës së Jezuit në tokë, kuptohet fare mirë që Jezui e kishte menduar si do të vepronte gjatë arrestimit, . . . kur do të fliste, kur do të heshtte dhe çfarë do të thoshte kur të hapte gojën.»
Anastasia tregon se tani fjalët e dokumentuara te Romakëve 8:38, 39 kanë kuptim të veçantë për të. Ajo shpjegon: «Këto fjalë më japin arsye për të gëzuar. Dy personat më të fuqishëm në mbarë universin më duan dhe askush nuk e shuan dot këtë dashuri. Kjo e vërtetë më motivon të mos dorëzohem dhe të kem guxim.»