Kalo te përmbajtja

Motër Irina Lohvitski

29 MARS 2021
RUSI

Motër Irina Lohvitski qëndron e fortë edhe pse e akuzojnë për krim

Motër Irina Lohvitski qëndron e fortë edhe pse e akuzojnë për krim

PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin

Më 16 nëntor 2021, Gjykata e Rajonit Autonom Jude hodhi poshtë apelimin e motër Irina Lohvitskit. Mbetet në fuqi dënimi i saj fillestar. Ajo nuk duhet të futet në burg në këtë moment.

Më 19 korrik 2021, Gjykata e Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude shpalli fajtore motër Irina Lohvitskin dhe e dënoi me dy vite e gjysmë vënie në provë.

Të dhëna

Irina Lohvitski

  • Lindur: 1962 (Izvestkovoje)

  • Biografia: I ati i vdiq kur ishte 6 vjeçe. Kur ishte fëmijë, merrej me kërcim, teatër, punonte me shtiza, luante basketboll dhe volejboll

    Shpresa e ringjalljes në Bibël i preku zemrën. Më 1993 u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait. I shoqi vdiq 7 muaj pasi ajo u pagëzua. Kështu që e rriti e vetme Arturin që në atë kohë ishte 7 vjeç

Historiku i çështjes

Më 6 shkurt 2020, motër Irina Lohvitski ishte mes 6 motrave, të cilat autoritetet ruse në Birobidzhan i akuzuan si «ekstremiste». Gjithsej u ngritën 19 çështje penale kundër 22 Dëshmitarëve në atë rajon. Mes tyre ishin dhe djali i Irinës, Arturi me bashkëshorten, Anën.

Seancat gjyqësore të Irinës nuk ishin të hapura për publikun, as për median ose të afërmit. Ia hodhën poshtë kërkesat që seancat të ishin të hapura dhe që çështja t’i kthehej prokurorit.

Për shkak të hetimit dhe të gjyqit, nuk është mirë me shëndet dhe ndonjëherë ndihet e shkurajuar. Mirëpo, ajo po ruan një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, dhe kjo e ndihmon të qëndrojë. Ajo shprehet: «Jehovai më ka ndihmuar të kem zakone të mira, jo vetëm duke e lexuar Biblën, por duke bërë kërkime që ta kuptoj vërtet.» Kur ankthi nisi ta shpërqendronte nga zakonet e saj të studimit, ajo iu lut Jehovait për ndihmë. Irina komenton: «Fillova të lutesha me zjarr dhe vura synim t’i rikthehesha programit të rregullt që kisha më parë. Jehovai më ka mësuar të mendoj edhe për të tjerët, jo vetëm për veten.»

Irina përqendrohet tek ata që kanë më tepër nevojë se ajo për mbështetje dhe inkurajim. Për shembull, tek ata që kanë interes për Biblën dhe te vëllezërit e motrat e krishtere. Ajo shpjegon: «Kur mendon për të tjerët, nuk ke më kohë të mëshirosh veten ose nuk lejon të të paralizojë ankthi.»

Edhe kongregacioni i ka dhënë forcë Irinës, sidomos pleqtë. Ajo thotë: «Edhe pse po përndiqen për vete, më kanë dhënë zemër dhe gjithmonë gjejnë fjalët e duhura për të më inkurajuar. Përveç kësaj, gjithmonë janë aty kur kam nevojë dhe u jam shumë mirënjohëse për këtë.»

Ndërsa Irina vazhdon të qëndrojë në sprovë, jemi po aq të bindur sa ajo se Jehovai do t’i sigurojë gjithë sa i nevojitet. Ajo shprehet: «Kur lexoja për përndjekjen, gjithnjë mendoja si do të reagoja në këto situata. Do të mbështetesha te Jehovai? Tani e di mirë përgjigjen. S’diskutohet që me ndihmën e tij, do të mbështetem tek ai. Si çdo shërbëtor i tij besnik, do të qëndroj e vendosur dhe Jehovai do të më mbajë fort me dorën e tij të djathtë.»—Isaia 41:10.