Kalo te përmbajtja

Motër Jekaterina Pegashevi

8 PRILL 2021
RUSI

Motër Jekaterina Pegashevi në Rusi mban integritetin ndërsa ndiqet penalisht

Motër Jekaterina Pegashevi në Rusi mban integritetin ndërsa ndiqet penalisht

PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin e motër Jekaterina Pegashevit

Më 4 gusht 2021, Gjykata e Lartë e Republikës së Mari-Elit hodhi poshtë apelimin e motër Jekaterina Pegashevit dhe la në fuqi dënimin e saj fillestar me 6 vite e gjysmë vënie në provë. Ajo nuk duhet të futet në burg në këtë moment.

Më 31 maj 2021, Gjykata e Krahinës së Gornomarijskit në Republikën e Mari-Elit shpalli fajtore motër Jekaterina Pegashevin dhe e dënoi me 6 vite e gjysmë vënie në provë.

Të dhëna

Jekaterina Pegashevi

  • Lindur: 1989 (Gainci, rajoni i Kirovit)

  • Biografia: Është fëmijë i vetëm. I pëlqen të lexojë libra, të shkruajë poezi dhe të këndojë. Punon në pastrimin e shtëpive. Ka mësuar gjuhën mari që t’u tregojë të vërtetat e Biblës sa më shumë njerëzve

Historiku i çështjes

Motër Pegashevin e arrestuan më 3 tetor 2019, në Joshkar-Olë, kryeqyteti i Republikës Mari-El. Policët i kontrolluan shtëpinë dhe i konfiskuan libra, pajisje elektronike, letra personale dhe dokumente. Jekaterinën e akuzuan për pjesëmarrje në veprimtaritë e një organizate të ndaluar ngaqë fliste për Biblën me bashkëbesimtarët.

Jekaterina kujton: «Befas, disa policë u turrën drejt meje, m’i mbajtën duart prapa shpine dhe më përplasën te një pemë. Ashtu si Nehemia, arrita të bëja një lutje të shkurtër për t’i kërkuar ndihmë Jehovait.» Pasi e arrestuan, e mbajtën mbi 100 ditë në një qendër paraburgimi. Për momentin është në arrest shtëpie.

Ndërsa ishte në paraburgim, Jekaterinën e merrnin në pyetje herë pas here. Arsimimi që kishte marrë nga Bibla, e ndihmoi shumë. Ajo tregon: «Sillja ndër mend stërvitjen dhe caktimet që kisha marrë gjatë Shkollës për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Më jepte forcë sidomos ky mendim: kur armiqtë të marrin në pyetje, nuk po qëndron vetëm para tyre, por edhe para Zotërisë Jezu. Kjo më ndihmoi të shfaqja vetëkontroll dhe t’u tregoja respekt autoriteteve që po më akuzonin pa të drejtë.»

Nuk ka qenë e lehtë për Jekaterinën të qëndrojë më shumë se një vit në paraburgim dhe arrest shtëpie. Shëndeti i është përkeqësuar dhe nuk punon dot për të siguruar të ardhura. Vështirësia më e madhe ka qenë ndarja nga e ëma dhe gjyshja. Pavarësisht nga këto sprova, Jekaterina është e vendosur të qëndrojë besnike. Ajo thotë: «Sa më shumë presion ushtrojnë mbi mua, aq më plotësisht e vesh armaturën që jep Perëndia.» Pastaj shton: «Tani nuk kam frikë nga asgjë! Kam pasur guxim edhe më përpara, por tani jam më e guximshme se kurrë.»

Teksa Jekaterina pret vendimin, jemi të sigurt se do të vazhdojë të mbështetet te Jehovai, i cili u jep forcë gjithë shërbëtorëve të tij.—Eksodi 15:2.