Kalo te përmbajtja

Motër Jelena Barmakini me të shoqin, Dmitrin

28 SHTATOR 2020
RUSI

Motër Jelena Barmakini rrezikon të shpallet fajtore se lutet dhe se lexon Biblën e saj

Motër Jelena Barmakini rrezikon të shpallet fajtore se lutet dhe se lexon Biblën e saj

Data e vendimit

Më 29 shtator 2020, a Gjykata e Krahinës së Pervoreçenskit në Vladivostok do të njoftojë vendimin për çështjen e motër Jelena Barmakinit. Ajo rrezikon të dënohet me 3 vite vënie në provë. Ndërsa motër Barmakini pret vendimin, vazhdon procesi gjyqësor kundër burrit të saj, Dmitrit.

Të dhëna

Jelena Barmakini

  • Lindur: 1967 (Çerepanovo, rajoni i Novosibirskut)

  • Biografia: Është personi kryesor që kujdeset për prindërit e moshuar dhe për gjyshen. Pasionin për fotografinë e ka kthyer në profesion. I pëlqen të notojë dhe të shëtitë në natyrë

  • Kur filloi të studiojë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, u bind se profecitë e përmbushura dëshmojnë qartë për fuqinë e Perëndisë. Besimi iu rrit edhe më shumë kur shihte se Jehovai u përgjigjej lutjeve të saj. U martua me Dmitrin më 2006

Historiku i çështjes

Më 28 korrik 2018, në orën 7 të mëngjesit, disa policë të armatosur e të maskuar hynë me forcë në shtëpinë e gjyshes 90-vjeçare të motër Jelena Barmakinit. Motër Barmakini dhe i shoqi, Dmitri, kujdesen për të dhe po rrinin te shtëpia e saj. Vëlla Barmakinin e arrestuan dhe e futën në paraburgim. Autoritetet e kërcënuan motër Barmakinin me fjalët: «Pastaj e ke radhën ti!»

Pas një viti, autoritetet i bllokuan llogaritë bankare motër Barmakinit. Më 6 gusht 2019, një hetues vendës nisi një çështje penale kundër saj ngaqë lutet, studion Biblën dhe sheh fjalime të bazuara në Bibël. Avokati i motrës i kërkoi gjykatës të hidhte poshtë akuzën kundër saj, sepse këto të ashtuquajtura krime s’janë gjë tjetër veçse gjëra normale që bën një besimtar. Megjithatë, gjykatësi ra dakord me pohimin e prokurorit se veprimet e motër Barmakinit ishin «veprimtari ekstremiste» që ligji rus i ndalon.

Motër Barmakini ka kaluar stres emocional dhe fizik për shkak të këtij hetimi. Ajo ka ndenjur 447 ditë larg burrit të saj që ishte në paraburgim. Veç kësaj, motër Barmakini e ka shumë të vështirë të gjejë punë, pasi duhet të jetë gjithnjë në dispozicion nëse e thërrasin në gjyq ose për ta marrë në pyetje.

Nga ajo që kemi mësuar në Bibël, nuk habitemi që autoritetet ruse ‘kanë shtyrë fort’, pra kanë ushtruar shumë presion për të thyer integritetin e motrave dhe të vëllezërve tanë. Megjithatë na ngrohet zemra ngaqë e dimë se Jehovai do të vazhdojë të jetë «streha dhe fuqia» e tyre e sigurt.—Psalmi 118:13, 14.

a Data edhe mund të ndryshojë