Kalo te përmbajtja

Motër Julia Kaganoviç

11 SHKURT 2021
RUSI

Motër Julia Kaganoviç përballon përndjekjen ngaqë ishte përgatitur

Motër Julia Kaganoviç përballon përndjekjen ngaqë ishte përgatitur

Data e vendimit

Më 18 shkurt 2021 a Gjykata e Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude do të marrë vendimin për çështjen e motër Julia Kaganoviçit. Prokuroria nuk e ka bërë akoma kërkesën për dënimin e mundshëm.

Të dhëna

Julia Kaganoviç

  • Lindur: 1966 (Mihajlovkë, rajoni i Volgogradit)

  • Biografia: Është specializuar në fushën e urbanistikës. Kur ishte e re, u regjistrua në një studio vallëzimi, u diplomua në një shkollë për muzikë, ishte pjesë e një orkestre dhe ka kënduar në kor. Bashkëshorti i saj, Aleksandri, nuk ka të njëjtin besim si ajo, por e mbështet dhe është i bindur se akuza penale kundër saj është absolutisht e padrejtë

    Pasi i vdiqën disa të afërm, Julia filloi të mendonte për kuptimin e jetës. Përgjigjet nga Bibla e ndihmuan të gjente paqe dhe shpresë. U pagëzua në vitin 1998. Parimet nga Bibla e kanë ndihmuar të forcojë martesën, të përmirësojë marrëdhëniet me të tjerët, si edhe të rritë të birin, Arturin, i cili po ashtu, është Dëshmitar i Jehovait

    Ajo ka probleme me shëndetin dhe akuzat penale po ia përkeqësojnë më shumë

Historiku i çështjes

Motër Julia Kaganoviç kujton: «Kur dëgjova të trokitura në derë në mëngjes herët, e kuptova menjëherë kush ishte. Zemra po më rrihte fort dhe arrita të përsëritja vetëm këto fjalë: ‘O Jehova, më ndihmo! O Jehova, më ndihmo!’»

Përndjekja fetare ndaj motrës 53-vjeçare nisi më 10 tetor 2019, në qytetin rus të Birobidzhanit. Kontrolli i shtëpisë së saj në mëngjes herët ishte pjesë e një bastisjeje masive nga agjentët e Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB). Atë mëngjes bastisën mbi 20 shtëpi të vëllezërve e të motrave në atë rajon.

Bastisja ishte jashtëzakonisht stresuese, mirëpo Julia dhe Dëshmitarët e tjerë qëndruan të fortë ngaqë ishin të përgatitur.

Julia tregon: «Vazhdimisht thoshim në mbledhje se mund të na i kontrollojnë shtëpitë, prandaj duhet të jemi gati kur të vijë momenti. Ngaqë e dija se mund të ndodhte, u përgatita mendërisht si të reagoja dhe çfarë të thosha.» Më pas thotë: «Kuptova sa e rëndësishme është të mendosh që më përpara se çfarë do të bësh. Prandaj dija si të veproja, sepse isha e kthjellët dhe aspak nervoze.»

Siç pritej, autoritetet ruse hapën çështje penale menjëherë pas bastisjeve. Julia dhe të tjerë u akuzuan për të ashtuquajturin aktivitet ekstremist.

Më 3 mars 2020 autoritetet ia kaluan çështjen Gjykatës së Krahinës së Birobidzhanit. Gjyqi u pezullua për 5 muaj gjatë pandemisë COVID-19. Julia u paraqit përsëri në gjyq më 22 tetor 2020.

Ajo shprehet: «Nga njëra anë nuk doja të isha në atë situatë. Nga ana tjetër isha jashtë mase e kënaqur që pata mundësinë të mbështetja sovranitetin e Jehovait.»

Julia vazhdon: «Isaia 41:10 ishte fiks ajo që më duhej. E printova këtë varg dhe e vura në mur, që t’i kisha vazhdimisht para syve fjalët siguruese të Perëndisë Jehova. E kam provuar vetë si m’i ka forcuar Jehovai gjunjët që më dridheshin.»

Julia është përpjekur fort të mësojë përmendsh disa shkrime që ndihmuan të ishte e qetë, e guximshme dhe e gëzuar, pavarësisht nga rrethanat stresuese.

Urojmë që secili nga ne të veprojë me mençuri që tani dhe të përgatitet mendërisht, emocionalisht si dhe të forcojë besimin për sprovat e ardhshme. Jemi të sigurt se «Jehovai nuk do t’i privojë asgjë të mirë kujtdo që zgjedh të jetojë me integritet».—Psalmi 84:11.

a Data mund të ndryshojë.