Kalo te përmbajtja

Motër Larisa Artamonova

15 SHKURT 2021
RUSI

Motër Larisa Artamonovën e dënojnë për shkak të besimit

Motër Larisa Artamonovën e dënojnë për shkak të besimit

Vendimi

Më 12 shkurt 2021, Gjykata e Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude shpalli vendimin për çështjen e motër Larisa Artamonovës. Ajo rrezikonte të dënohej me gjashtë vite burg, megjithatë gjykata e gjobiti me 10.000 rubla (135 dollarë amerikanë).

Të dhëna

Larisa Artamonova

  • Lindur: 1970 (Birobidzhan, Rajoni Autonom Jude)

  • Biografia: Babanë ia vranë kur ajo ishte 3 vjeçe. Ka punuar si pastiçere, grafiste dhe rrobaqepëse. U martua në vitin 1990 dhe ka një djalë, Jevgenijin, i cili vuan nga një sëmundje e rrallë. Edhe ajo vetë ka një sëmundje autoimune që i prek kyçet. Prapëseprapë bën një jetë aktive. I pëlqen të bëjë xhiro me biçikletë, patinazh, ski dhe të pikturojë portrete

    E mundonin shumë pyetje për padrejtësitë, vuajtjet dhe ligësitë. Kjo e shtyu të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Gjeti përgjigje të kënaqshme në Bibël dhe u pagëzua në vitin 1995

Historiku i çështjes

Më 25 shtator 2019, autoritetet ruse ngritën një çështje penale kundër motër Larisa Artamonovës. Edhe kundër djalit të saj kanë ngritur një tjetër çështje penale. Ata janë ndër 22 Dëshmitarët në Rajonin Autonom Jude që janë akuzuar për pjesëmarrje në aktivitetet e një organizate «ekstremiste».

Mamaja dhe njerku i Larisës u habitën shumë që, vetëm për shkak të bindjeve fetare, ajo rrezikonte të dënohej me gati gjashtë vite burg—i njëjti dënim me të cilin u dënua edhe burri që i vrau babanë.

Pak para se të fillonte përndjekja në Birobidzhan, Larisa dhe i biri e shtuan ndjeshëm sasinë e kohës që kalonin në shërbim të Jehovait. Ajo thotë: «Kur ke plot për të bërë në shërbim të Jehovait dhe kur vazhdon të forcosh besimin tënd e të familjes, fashitet çdo frikë.» Më pas shton: «Satanai mundohet të përdorë ata që na përndjekin për të na ngulitur idenë se aktivitetet e krishtere kërcënojnë lirinë tonë. Mirëpo, Jehovai na siguron se liria e vërtetë vjen kur bëjmë atë që na ka mësuar përherë të bëjmë.»

22 vëllezërit e motrat nga Birobidzhani që po ndiqen penalisht janë të bindur se Jehovai është i kënaqur me besnikërinë e tyre dhe se po i japin përgjigje përbuzjeve të Satanait.—Proverbat 27:11.