Kalo te përmbajtja

Motër Tatjana Zagulini me bashkëshortin e saj, Dmitrin

17 MARS 2021
RUSI

Motër Tatjana Zagulini në Birobidzhan rrezikon të shpallet fajtore

Motër Tatjana Zagulini në Birobidzhan rrezikon të shpallet fajtore

PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin

Më 16 shtator 2021, Gjykata e Rajonit Autonom Jude hodhi poshtë apelimin e motër Zagulinit, prandaj mbetet në fuqi dënimi i saj fillestar. Ajo nuk duhet të shkojë në burg në këtë moment.

Më 31 mars 2021, Gjykata e Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude e dënoi motër Tatjana Zagulinin me 2 vite e gjysmë vënie në provë.

Të dhëna

Tatjana Zagulini

  • Lindur: 1984 (fshati Selektsionaja, territori Trans-Bajkal)

  • Biografia: Ka studiuar për stilim veshjesh. Ka punuar si manikyriste dhe rrobaqepëse, kryesisht duke rregulluar fustane nusesh. I pëlqen shumë volejbolli, tenisi, kërcimi dhe puna me shtiza

    Gjithmonë e ka mrekulluar natyra dhe ka besuar se jeta është krijuar. Prandaj studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. U pagëzua në vitin 2010 dhe u martua me Dmitrin më 2012

Historiku i çështjes

Më 17 maj 2018, 150 policë të armatosur bastisën 22 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait. Autoritetet e quajtën këtë operacion «Dita e Gjykimit». Që atëherë, hetuesit vendës kanë ngritur çështje penale kundër 22 vëllezërve dhe motrave në këtë zonë. Më 6 shkurt 2020 u ngritën akuza penale për veprimtari «ekstremiste» kundër 6 Dëshmitareve, ndër to edhe Tatjana.

Gjyqi i Tatjanës nisi më 17 shtator 2020. Ndërkohë që pret vendimin, autoritetet i kanë kufizuar udhëtimet brenda zonës dhe i kanë bllokuar llogaritë bankare.

Ajo thotë se lutja, leximi dhe studimi i Biblës po e ndihmojnë të qëndrojë dhe të vazhdojë të predikojë e të mbrojë besimin e saj. Tatjana komenton: «Kur erdhën [policët], u tremba nga trokitjet e forta, por u luta menjëherë. Pastaj fillova të qetësohesha.»

Për shembull, gjatë kontrollit në shtëpinë e saj, i tha njërit prej policëve se atë ditë besimi i ishte forcuar më shumë. Kur ai e pyeti pse, ajo i shpjegoi se ndihej se në rastin e saj po përmbusheshin fjalët e Jezuit, të regjistruara te Gjoni 15:20: «Skllavi nuk është më i madh se zotëria. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju.» Më tej tregon: «Një prej tyre më tha: ‘Epo, nga kjo që po thua, ndihem si një nga ata që vranë Jezuin.’ Në atë moment, jo vetëm që m’u forcua besimi, por edhe ndjeva paqe e gëzim në zemër. E ndieja se Jehovai ishte aty duke më mbështetur!» Në fillim të seancave gjyqësore ishte disi e frikësuar nga trupi gjykues. Por, pasi u lut për guxim, tha: «Tani do të flas plot siguri.»

Falënderojmë Jehovain që mbështet dhe bekon ‘veprën besnike, mundin e dashur dhe qëndrueshmërinë’ e vëllezërve dhe të motrave tona të shtrenjta në Rusi.—1 Selanikasve 1:2, 3.