Kalo te përmbajtja

Motër Ludmilla Ponomarenko

15 PRILL 2021
RUSI

Motra 70-vjeçare Ludmilla Ponomarenko qëndron e fortë ndërsa vazhdon procesi gjyqësor

Motra 70-vjeçare Ludmilla Ponomarenko qëndron e fortë ndërsa vazhdon procesi gjyqësor

Data e vendimit

Gjykata e Krahinës së Leninskit në Rostov-mbi-Don së shpejti shpall vendimin për çështjen e motër Ludmilla Ponomarenkos. a

Të dhëna

Ludmilla Ponomarenko

  • Lindur: 1950 (Olë, rajoni i Magadanit)

  • Biografia: Para se të dilte në pension, ka punuar si elektriciste në një fabrikë. Ka dy vajza dhe dy nipa e mbesa. I pëlqen të lexojë dhe të punojë me grep. Kujdeset për të shoqin, i cili vuan nga probleme të rënda shëndetësore

  • U mrekullua kur mësoi se Krijuesi ka një emër. Zemra iu prek edhe kur mësoi për qëllimin e Perëndisë për tokën dhe njerëzimin. Në vitin 1998 u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait

Historiku i çështjes

Më 6 qershor 2019, hapën një çështje penale kundër motër Ludmilla Ponomarenkos. Atë e akuzojnë si kriminele, sepse ka siguruar një vend për mbledhjet fetare të një organizate «ekstremiste» dhe flet me të tjerët për mesazhin e Biblës.

Ludmilla priste që ta përndiqnin, njësoj si vëllezërit e motrat e tjerë në Rusi. Ajo shpjegon: «Kur filluan të përndiqnin vëllezërit e motrat në rajonin e Moskës dhe në qytetin e Taganrogut, për mua ishte e qartë se herët a vonë do të na përndiqnin të gjithëve.»

Dëshmitarët e tjerë nuk shkojnë dot nëpër seancat e saj gjyqësore që ta mbështetin e ta inkurajojnë, për shkak të kufizimeve që lidhen me COVID-19. Ludmilla komenton për këtë situatë: «Isha e shqetësuar dhe në ankth që do të isha vetëm në seancat gjyqësore, prandaj e bëra zakon të këndoja me zë fare të ulët këngë Mbretërie dhe t’i lutesha Jehovait rrugës për në sallën e gjyqit. Kështu merrja shumë forcë. Nuk ndiej më ankth në sallën e gjyqit dhe duket se koha fluturon.»

Ludmilla shpjegon edhe si ka ndikuar e gjithë kjo te dy vajzat dhe te bashkëshorti i saj që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait: «E kanë të vështirë ta kuptojnë pse jam në gjyq. Janë shumë në merak për mua, ngaqë shëndeti po më keqësohet për shkak të përndjekjes. Me kalimin e kohës, pjesëtarët e familjes sime e kanë kuptuar sa absurde është [kjo situatë] dhe [me mbështetjen e tyre] po qëndroj e fortë.»

Përndjekja nuk ia ka ftohur zellin Ludmillës. Ajo thotë: «Zemrën e kam plot gëzim, sepse s’kam pse të kem frikë nga ajo që po më ndodh tani e as nga ajo që do të ndodhë së shpejti, sipas profecive të Biblës. Miqësia ime me Jehovain thjesht po forcohet gjithnjë e më shumë. Tani lutjet e mia janë më domethënëse, më të gjata dhe më personale.»

E dimë se motër Ponomarenko do të ketë gjithnjë frymën e Jehovait dhe bekimet që vijnë kur gjen strehë «nën hijen e krahëve të të Plotfuqishmit».—Psalmi 91:1.

a Data kur do të merret vendimi nuk njoftohet gjithmonë.