25 SHKURT 2021
RUSI
Motra Natalia Kriger rrezikon të shpallet fajtore pas operacionit «Dita e Gjykimit»
PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin
Më 25 nëntor 2021, Gjykata e Rajonit Autonom Jude hedh poshtë apelimin e motër Natalia Krigerit. Mbetet në fuqi dënimi i saj fillestar. Asaj nuk i duhet të futet në burg në këtë moment.
Më 30 korrik 2021, Gjykata e Krahinës së Birobidzhanit në Rajonin Autonom Jude shpalli fajtore motër Krigerin dhe e dënoi me 2 vite e gjysmë vënie në provë.
Të dhëna
Natalia Kriger
Lindur: 1978 (Habarovsk)
Biografia: E ëma i vdiq kur Natalia ishte foshnjë. Ka jetuar në një jetimore. Në moshën 6-vjeçare e transferuan në Amurzjet, Rusi, rreth 400 kilometra larg nga vendi ku banonte. Ka jetuar me gjyshen, tezen dhe me kushërirën që janë Dëshmitare të Jehovait. Ka punuar si punonjëse sociale duke u kujdesur për të moshuarit
U pagëzua si Dëshmitare e Jehovait në vitin 1999. Më 2017 u martua me Valerin. Të dyve u pëlqen të kërcejnë, të bëjnë rafting dhe shëtitje në natyrë
Historiku i çështjes
Në maj të 2018-s, autoritetet ruse kontrolluan shtëpinë e çiftit Kriger. Ky kontroll ishte pjesë e një operacioni që autoritetet e quajtën «Dita e Gjykimit». Më pas, prokuroria ngriti një çështje penale kundër Valerit. Më 6 shkurt 2020 ngritën një çështje penale kundër Natalisë. Ajo ishte një ndër gjashtë motrat që u akuzuan atë ditë.
Përveç ndjekjes penale, Natalia po vuan edhe vdekjen e gjyshes së saj, e cila humbi jetën në shkurt të vitit 2020. Natalia kishte gjashtë vjet që kujdesej për të.
Miqësia e ngushtë që ka me Jehovain po e ndihmon Natalinë të përballojë këto sprova. Ajo shpjegon: «Lutem shumë për të tjerët dhe kjo më ka ndihmuar të mos përqendrohem te problemet e mia. Tani që po përndiqem, e ndiej më pranë Jehovain. Ai është më real për mua. Shoh se u përgjigjet lutjeve të mia dhe më mbështet.»
Shpesh Natalia mediton për arsyet e shumta që i japin sigurinë e plotë se Jehovai do të vazhdojë ta mbështetë. Ajo thotë: «Më jep shumë forcë shkrimi i Psalmit 94:19: ‘Ngushëllimet e tua ma ledhatonin shpirtin.’ Kemi shumë shembuj të kohëve të lashta dhe të ditëve tona që tregojnë se shërbëtorët e guximshëm të Perëndisë kanë qëndruar besnikë në sprova. Meditimi për këta shembuj më jep edhe më shumë zemër.»