30 PRILL 2021
RUSI
Motra jonë 73-vjeçare dhe invalide mbështetet te Jehovai ndërsa has përndjekje
PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin
Më 25 gusht 2021, Gjykata e Krahinës së Nadezhdinskit në Territorin e Primorjes hodhi poshtë apelimin e motër Ljudmilla Shutit. Prandaj mbetet në fuqi dënimi i saj fillestar. Ajo nuk duhet të shkojë në burg në këtë moment.
Më 19 maj 2021, Gjykata e Krahinës së Nadezhdinskit në Territorin e Primorjes shpalli fajtore motrën 73-vjeçare, Ljudmilla Shutin dhe e dënoi 4 vite vënie në provë.
Të dhëna
Ljudmilla Shuti
Lindur: 1947 (Makarov, ishulli Sahalin)
Biografia: Filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në fillim të viteve 2000. I lanë mbresa të thella profecitë e Biblës, ndaj në vitin 2003 u pagëzua. Po atë vit i vdiq i shoqi. Ka tre fëmijë dhe tre nipër e mbesa. Për shkak të sëmundjeve kronike, nuk ecën dot pa e ndihmuar dikush
Historiku i çështjes
Autoritetet nisën të monitoronin veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait në fshatin Razdolnoje në nëntor 2017. Në shkurt të 2020-s ngritën çështje penale kundër motër Ljudmilla Shutit. Pavarësisht nga mosha dhe nga kufizimet e saj shëndetësore që duken qartë, i kufizuan udhëtimet.
Hetimi dhe procesi gjyqësor kanë ndikuar për keq te shëndeti i saj fizik dhe emocional. Shikimi iu keqësua aq shumë sa kishte nevojë për operacion. Veç kësaj, tani ajo vuan edhe nga pagjumësia. Ljudmilla është e sigurt se Jehovai po i mban sytë mbi të, sepse po mbështetet tek Ai dhe po i beson plotësisht. Siç premton tek Isaia 26:3, Jehovai po i jep «paqe të pafund».
Motrat e vëllezërit në kongregacion po e mbështetin me dashuri Ljudmillën. Ajo çmon veçanërisht faktin që ata luten për të. «Këtë nuk do ta harroj kurrë»,—thotë Ljudmilla.
Edhe djali dhe vajza e saj e vogël, ndonëse nuk janë Dëshmitarë të Jehovait, e kanë ndihmuar gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë.
Ndërsa presim vendimin, lutemi plotësisht të sigurt se motra Shut do të vazhdojë ‘të mbështetet te fuqia e Perëndisë’.—2 Timoteut 1:8.