Kalo te përmbajtja

Nga e majta: vëlla Aleksej Berçuku dhe e shoqja, Ana; vëlla Dmitri Goliku dhe e shoqja, Kristina

9 MARS 2021
RUSI

Në Blagovjeshjensk, vëllezërit Aleksej Berçuk dhe Dmitri Golik rrezikojnë të shpallen fajtorë

Në Blagovjeshjensk, vëllezërit Aleksej Berçuk dhe Dmitri Golik rrezikojnë të shpallen fajtorë

PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin e dytë

Më 16 shkurt 2022, Gjykata e Kasacionit e Juridiksionit të Nëntë hodhi poshtë apelimin e dytë të vëllezërve Aleksej Berçuk dhe Dmitri Golik. Ata vazhdojnë të mbeten në burg.

Më 2 shtator 2021, Gjykata në rajonin e Amurit hodhi poshtë apelimin e Aleksejit dhe Dmitrit. Gjykata nuk e ndryshoi dënimin e Aleksejit, por Dmitrit i hoqi 10 muaj nga dënimi i mëparshëm. Ata u transferuan nga paraburgimi në burg.

Gjykata ruse u jep vëllezërve dy ndër dënimet më të gjata që nga viti 2017

Më qershor 30 2021, Gjykata e Qytetit të Blagovjeshjenskit në rajonin e Amurit dënoi Aleksejin me 8 vite burg, ndërsa Dmitrin me 7 vite burg. Që kur organizata është ndaluar në Rusi, në vitin 2017, dënimi më i gjatë me burg për Dëshmitarët e Jehovait ishte 7 vite e gjysmë. Të dy vëllezërit i futën menjëherë në burg pas gjyqit.

Të dhëna

Aleksej Berçuku

  • Lindur: 1975 (Kartali, rajoni i Çeljabinskut)

  • Biografia: Ka punuar në ndërtim dhe në zdrukthëtari. Nisi të studionte Biblën në vitet 90. Hoqi dorë nga sportet e dhunshme dhe tani kënaqet kur luan futboll me miqtë. U pagëzua në vitin 1998. U martua me Anën më 2008

Dmitri Goliku

  • Lindur: 1987 (Tohoj, Republika e Burjatit)

  • Biografia: Punon si përkthyes i gjuhëve kineze dhe ruse. I pëlqejnë ushtrimet me ngritje peshash, të luajë futboll dhe t’i bjerë kitarës

    Familja e tij nisi të studionte Biblën në vitet 90. Ai u pagëzua më 2002. Kur e thirrën ushtar, kërkoi të kryente shërbim civil alternativ dhe e caktuan të punonte në një shtëpi të moshuarish. Në vitin 2012 u martua me Kristinën. Së bashku po mësojnë anglisht dhe kinezisht që t’u flasin për lajmin e mirë më shumë njerëzve

Historiku i çështjes

Në fillim të vitit 2018, agjentë sekretë të shtetit vendosën pajisje përgjimi audio dhe video në shtëpinë e vëlla Golikut. Në qershor të 2018-s, agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) bastisën shtatë shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në Blagovjeshjensk. Si rezultat, autoritetet ngritën çështje penale kundër vëllezërve Dmitri Golik dhe Aleksej Berçuk. Ata akuzohen për organizim të veprimtarive të ashtuquajtura ekstremiste.

Aleksejin nuk e njoftuan menjëherë për çështjen penale që ishte ngritur kundër tij. Më 21 janar 2019, e arrestuan te pika e kontrollit të pasaportave në Aeroportin e Domodjedovos në Moskë. Pastaj, një hetues i FSB-së e shoqëroi Aleksejin deri në qytetin e tij. Që atëherë respekton kufizimet e udhëtimit që i kanë vendosur.

Të dy vëllezërit theksojnë rëndësinë e përgatitjes që më përpara. Dmitri pohon: «Është mirë të shpresojmë, por më mirë akoma është të përgatitemi për më të keqen.» Pastaj vazhdon: «Sigurisht që është mirë të përgatitesh konkretisht si t’i bësh ballë përndjekjes. Gjithsesi, më e rëndësishme ishte të forcoja marrëdhënien me Jehovain. Kur përndiqemi, ajo që ka vërtet rëndësi, nuk është sa të zgjuar jemi ose sa mirë u fshihemi përndjekësve, por besnikëria ndaj Perëndisë. Edhe Jezui mund t’u fshihej shumë mirë armiqve, por nuk ishte ky synimi i tij. Si dishepuj të Jezuit, synimi ynë nuk është të shmangim vështirësitë, por t’u bëjmë ballë me dinjitet.»

Alekseji shton: «Do të ishte e gabuar të mendonim: ‘Kjo s’do të më ndodhë mua’. Duket qartë se Jehovai po e lejon përndjekjen. Nëse e pranon këtë që më përpara dhe zhvillon një qëndrim pozitiv, kur të të ndodhë ty, do ta kesh më të lehtë ta pranosh dhe të qëndrosh duke u mbështetur te Jehovai.»

Jemi të bindur se vëllezërit tanë në Rusi, ndër ta edhe Alekseji, Dmitri dhe gratë e tyre, do të vazhdojnë t’i bëjnë jehonë fjalëve të psalmistit: «Ja, Perëndia është ndihma ime; Jehovai është me ata që më bëhen krah.»—Psalmi 54:3, 4.