Kalo te përmbajtja

Nga e majta: vëllezërit Andrej Andrejevi, Artem Bagratjani me bashkëshorten, Alevtinën, dhe Andrej Ryshkovi

16 MARS 2021
RUSI

Një çift dhe tre vëllezër në rajonin e Kurskut mund të burgosen për shkak të besimit

Një çift dhe tre vëllezër në rajonin e Kurskut mund të burgosen për shkak të besimit

PËRDITËSIM | Një gjykatë ruse hedh poshtë apelimin e pesë Dëshmitarëve

Më 20 janar 2022, Gjykata Rajonale e Kurskut hodhi poshtë apelimin e vëllezërve Andrej Andrejev, Andrej Ryshkov, Aleksandër Vospitanjuk dhe të vëlla Artem Bagratjanit e të së shoqes, Alevtinës. Dënimet e tyre mbeten të pandryshuara.

Më 3 qershor 2021, Gjykata e Krahinës Industriale të Kurskut shpalli fajtorë një çift dhe tre vëllezër. Vëlla Andrejevin e dënoi me 4 vite e gjysmë burg, kurse Ryshkovin me 3 vjet. Vëlla Bagratjanin e dënuan me 2 vite e gjysmë burg, kurse të shoqen, Alevtinën, me 2 vite burg. Vëlla Vospitanjukun, që e bënë pjesë në këtë çështje, e dënuan me 2 vite liri me kusht me disa kufizime të tjera.

Të dhëna

Andrej Andrejevi

  • Lindur: 1976 (Kursk)

  • Biografia: Në vitin 1999 u martua me Svetlanën dhe kanë rritur dy vajza. Filloi të shfaqte interes për Biblën kur mësoi që profecitë e saj janë përmbushur. U pagëzua në vitin 2002

Alevtina Bagratjani

  • Lindur: 1977 (Kursk)

  • Biografia: Që kur ishte fëmijë, i pëlqenin artet. Ka filluar të studiojë Biblën që në moshë të vogël. U pagëzua në vitin 1997 dhe u martua me Artemin më 2012. Ka punuar si parukiere ndërsa kujdesej edhe për të ëmën

Artem Bagratjani

  • Lindur: 1972 (Abovjan, Armeni)

  • Biografia: Ka emigruar nga Armenia në Rusi. U njoh me Alevtinën në Kursk. Të dyve u pëlqen të kalojnë kohë në natyrë. U pagëzua në vitin 2000

Andrej Ryshkovi

  • Lindur: 1987 (Kursk)

  • Biografia: I ati vdiq kur ishte fëmijë. Kur ishte i ri, rrinte shumë me gjyshin ndërsa e ëma bënte dy punë. Pasi mori përgjigje për pyetjet që e shqetësonin prej vitesh, iu shtua interesi për Biblën. U pagëzua më 2011 dhe u martua me Marinën në vitin 2016. Më parë riparonte apartamente

Historiku i çështjes

Më 16 tetor 2019, agjentë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) bastisën shumë shtëpi dhe morën në pyetje disa Dëshmitarë të Jehovait në Kursk. Më pas arrestuan vëlla Andrej Andrejevin dhe çiftin Bagratjan. Më 21 janar 2020 autoritetet arrestuan vëlla Ryshkovin. Alevtina Bagratjani u lirua më 17 dhjetor 2020, pas më shumë se 13 muajsh në një qendër paraburgimi. Tani është në arrest shtëpie. Ndërsa tre vëllezërit janë akoma në paraburgim.

Artem Bagratjani vuan nga diabeti. Alevtina kujton kohën kur ajo dhe i shoqi ishin në burg, në qeli të ndara: «Për një periudhë kohe goxha të gjatë nuk arrija dot të merrja vesh si ishte, nëse shëndeti po i keqësohej më tej. Më mungonte tmerrësisht shumë.»

Alevtina thotë se ishte plotësisht e bindur se Jehovai do të kujdesej për të dhe për vëllezërit në burg. Ajo shpjegon: «[Jehovai] më ka forcuar gjithmonë. E di se do të më forcojë pareshtur. Nuk kam pikë dyshimi për këtë.»

Jemi të bindur se Jehovai do të vazhdojë të jetë një kullë e fortë për tre vëllezërit dhe motrën tonë gjatë kësaj sprove.—Proverbat 18:10.