20 MAJ 2021
RUSI
Një gjykatë në Rusi dënon me dy vite e gjysmë burg vëlla Rustam Seidkulievin
Burgoset për herë të tretë për shkak të besimit
PËRDITËSIM | Gjykata ruse hedh poshtë apelimin e vëlla Rustam Seidkulievit
Më 5 gusht 2021, Gjykata Rajonale e Saratovit hodhi poshtë apelimin e vëlla Rustam Seidkulievit, por reduktoi afatin e dënimit, nga 30 muaj burg në 28 muaj. Së shpejti do ta nxjerrin nga qendra e paraburgimit, ku e kanë mbajtur që kur i dhanë dënimin më 20 maj 2021, dhe do ta çojnë në burg.
Më 20 maj 2021, Gjykata e Krahinës së Leninskit në Saratov shpalli fajtor vëlla Rustam Seidkulievin dhe e dënoi me dy vite e gjysmë burg. Atë e futën në burg menjëherë pas shpalljes së vendimit.
Të dhëna
Rustam Seidkulievi
Lindur: 1977 (Ashgabat, Turkmenistan)
Biografia: E ka rritur e ëma. Filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1993. Dy vjet më vonë nisi të studionte Biblën edhe mamaja e tij. Para se të pagëzohej, Rustami vuajti dy dënime me burg në Turkmenistan, ngaqë nuk pranonte të bënte ushtrinë për shkak të ndërgjegjes së tij të stërvitur nga Bibla
Profecitë e Biblës që janë përmbushur dhe këshillat e saj praktike, e shtynë t’ia kushtonte jetën Jehovait dhe të pagëzohej në vitin 1998. Në vitin 2000, si familje u shpërngulën në Rusi kur njerkun e tij e dëbuan nga vendi ngaqë ishte Dëshmitar i Jehovait
Ka punuar në ndërtim dhe si teknik telefonash. Në vitin 2001 njohu bashkëshorten e tij, Juljan. Të dyve u pëlqen të luajnë buling e pingpong dhe të bëjnë piknik. Që nga shtatori i 2019-s, po kujdesen për prindërit e Rustamit
Historiku i çështjes
Në mars 2019, një agjent i Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) shkoi në shtëpinë e çiftit Seidkuliev. U bllokoi hyrjen e shtëpisë me makinën e tij, i mori në pyetje veç e veç dhe pastaj u dha një fletëthirrje që të paraqiteshin te zyra e FSB-së që t’i merrnin më tej në pyetje.
Më 15 shkurt 2020, autoritetet arrestuan Rustamin dhe Juljan në një qendër tregtare. Rustamin e mbajtën në arrest. Më vonë, një gjykatë lokale vendosi që ta kalonte në arrest shtëpie. Në fillim e transferuan në një institucion për dy muaj, gjatë të cilëve nuk e lejonin të takonte gruan. Kur e transferuan te shtëpia e tij, nuk i lejohej të përdorte internetin ose forma të tjera komunikimi me njerëzit jashtë shtëpisë. Ia shtynë dënimin shtatë herë. Rustami kaloi gjithsej 217 ditë në arrest shtëpie.
Ai përballoi shumë vështirësi kur ishte në arrest shtëpie. Kishte raste kur e lejonin të bënte shëtitje vetëm nga ora 9.00-11.00 e paradites. Disa herë kishte kufizime të tjera, për shembull nuk i lejohej të dilte nga dera e shtëpisë as për t’u kujdesur për kopshtin ose për të rregulluar vendin ku i pikonte çatia. Ai shpjegon çfarë e ndihmoi të qëndronte pozitiv: «Arresti i shtëpisë më jepte më shumë kohë për t’u lutur e për të medituar rreth të vërtetave të Biblës. Dhe, ngaqë gjithë ditën e kisha të programuar, kjo më ndihmoi të mos dëshpërohesha ose të mërzitesha. E dija se disa nga bashkëbesimtarët e mi ishin në burg dhe se po kalonin shumë më tepër vështirësi se unë.»
Rustamin e kishin forcuar edhe sprovat e mëparshme. Duke kujtuar kohën kur ishte në burg në Turkmenistan, ai tregon: «Në të kaluarën, Jehovai më ka mbështetur në shumë raste, sidomos kur më futën në burg në moshë të re. Ajo histori më ndihmoi ta lija plotësisht veten në duart e tij dhe të ruaja qetësinë.»
Rustami vazhdon të bëjë më të mirën në shërbim të Jehovait. Ai thotë: «Nuk duhet të humbasim mbledhjet e as të lëmë pas dore programin tonë besimforcues. Nuk duhet t’i lejojmë shpërqendrimet të na vjedhin kohën e kufizuar që kemi për të dhënë dëshmi dhe për të forcuar bashkëbesimtarët. Jam i vendosur t’i shërbej Jehovait sa më plotësisht të mundem, ku ta shohë ai të përshtatshme, sepse koha që na mbetet, është fare e shkurtër.»
Jemi të bindur se Jehovai do të vazhdojë t’i pajisë motrat e vëllezërit tanë në Rusi «me çdo gjë të mirë për të kryer vullnetin e tij».—Hebrenjve 13:21.