Kalo te përmbajtja

Vëlla Vladimir Alushkini para se të arrestohej e të burgosej

13 NËNTOR 2019
RUSI

OKB-ja i bën thirrje Rusisë të lirojë vëlla Alushkinin

OKB-ja i bën thirrje Rusisë të lirojë vëlla Alushkinin

Grupi i Punës i OKB-së kundër Burgosjes Arbitrare (GPBA) publikoi një raport me 12 faqe ku dënon Rusinë, ngaqë kishte arrestuar dhe burgosur padrejtësisht vëlla Vladimir Alushkinin. Në të i bën thirrje Rusisë që ta lirojë dhe ta dëmshpërblejë siç duhet vëlla Alushkinin, pasi kanë shkelur të drejtat e tij.

Atë e arrestuan më 15 korrik 2018, kur një grup policësh të maskuar dhe të armatosur i bastisën shtëpinë. Policët kërkuan në apartament për pothuajse 4 orë dhe i sekuestruan telefonat, pajisjet elektronike, Biblat dhe botime të tjera. Më pas e çuan në rajon për ta marrë në pyetje.

Vëlla Vladimir Alushkini në Gjykatën Krahinore të Pervomajskit në Penzë në janar 2019

Autoritetet vendëse e mbajtën vëlla Alushkinin për dy ditë në një burg të përkohshëm. Pastaj, Gjykata Krahinore e Pervomajskit në Penzë e transferoi në një qendër paraburgimi, ku do të qëndronte 2 muaj. Gjykata ia shtyu dy herë dënimin. Pasi ndenji për pothuajse 6 muaj në qendrën e paraburgimit, e kaluan në arrest shtëpie, ku vazhdon edhe sot.

Vëlla Alushkini iu apelua GPBA-së që të shfajësohej dhe të dilte nga burgu. Ky panel me ekspertë të pavarur të të drejtave të njeriut që punon për Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, merret me ankesat e individëve që arrestohen padrejtësisht nga policia ose që gjykata i dënon me arrest shtëpie, paraburgim dhe burg.

Pasi shqyrtoi akuzën e Rusisë, sipas së cilës vëlla Alushkini ishte përfshirë në veprimtari ekstremiste, GPBA-ja arriti në këtë përfundim: «Të gjitha veprimtaritë fetare ku ka marrë pjesë z. Alushkin ishin plotësisht paqësore. Për ne është e qartë se ai thjesht ka ushtruar të drejtën e lirisë së fesë, që ia jep neni 18 i Paktit [Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, anëtar i të cilit është edhe Rusia].» Pra, raporti pohon se «GPBA-ja thekson qartë që z. Alushkin nuk duhej të arrestohej, të mbahej në paraburgim dhe as t’i bëhej gjyq». Përveç kësaj, GPBA-ja i kërkoi qeverisë ruse «t’i jepte fund sa më shpejt padrejtësisë kundër z. Alushkin» dhe këmbënguli se «zgjidhja më e mirë është që të lirohet menjëherë nga burgu».

GPBA-ja pranoi edhe se rasti i vëlla Alushkinit nuk është i vetmi në Rusi. «Shumë Dëshmitarë të Jehovait në Federatën Ruse janë arrestuar, burgosur dhe akuzuar për veprimtari kriminale e ky numër sa vjen e rritet. Dhe kjo vetëm se po ushtrojnë të drejtën për lirinë e fesë», një e drejtë e mbrojtur nga ligjet ndërkombëtare. Kështu, duke dashur të dënojë përndjekjen e bashkëbesimtarëve në Rusi, GPBA-ja theksoi fare qartë se raporti i tyre nuk vlen vetëm për vëlla Alushkinin, por edhe për gjithë Dëshmitarët e Jehovait që ndodhen «në një situatë të ngjashme».

Qeveria ruse nuk i ka zbatuar ende rekomandimet e GPBA-së. Përkundrazi, në gusht të 2019-s autoritetet ruse në Penzë e çuan në gjykatë çështjen e vëlla Alushkinit. Seancat janë programuar më 15, 19 dhe 22 nëntor 2019.

Shpresojmë që, kur gjykata ruse të vendosë përfundimisht për këtë çështje, të marrë parasysh raportin e GPBA-së. Ndërkohë mbështetemi plotësisht te Jehovai, ashtu si psalmisti që tha: «Nuk do të kem frikë. . . . Jehovain e kam përkrah si ndihmë . . . Më mirë të gjesh strehë te Jehovai.»—Psalmi 118:6-9, nwt.