Kalo te përmbajtja

Nga e majta: vëlla Dmitri Malevani, motrat Olga Opalevi e Olga Panjuti dhe vëlla Aleksei Trofimovi

29 QERSHOR 2021 | PËRDITËSUAR MË 13 SHKURT 2023
RUSI

PËRDITËSIM—DËNIME ME BURG | Dëshmitarët ruajnë gëzimin dhe forcën gjatë sprovave

PËRDITËSIM—DËNIME ME BURG | Dëshmitarët ruajnë gëzimin dhe forcën gjatë sprovave

Më 10 shkurt 2023, Gjykata e Krahinës së Spaskut në Territorin e Primorskit shpalli fajtorë vëllezërit Dmitri Malevani dhe Aleksei Trofimovi dhe motrat Olga Opalevi dhe Olga Panjuti. Vëlla Malevani u dënua me 7 vite burg, vëlla Trofimovi me 6 vite e gjysmë burg ndërsa motër Panjuti me 4 vite burg. Të tre i arrestuan menjëherë në sallën e gjyqit. Kurse motër Opalevi u dënua me 4 vite e gjysmë vënie në provë. Për momentin asaj nuk i duhet të shkojë në burg.

Të dhëna

Dmitri Malevani

  • Lindur: 1990 (Spask-Dalnij)

  • Biografia: Jep mësime për programime kompjuterike, ndërsa bashkëshortja e tij, Uljana, është artiste. Kur ishte adoleshent, filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. U bind se Bibla është e besueshme dhe se, kur jeton sipas normave të saj, bën një jetë më domethënëse. U pagëzua në vitin 2004

Olga Opalevi

  • Lindur: 1952 (Spask-Dalnij)

  • Biografia: Besonte te Zoti që kur ishte e re, por nuk kishte ndonjë interes për Biblën. Ajo i takoi Dëshmitarët e Jehovait pak pasi i vdiq e bija 22 vjeçe. Ishte shumë e kënaqur kur mësoi për premtimin e Biblës për ringjalljen. Ndërsa i rritej besimi, nisi të fliste me të tjerët për këtë shpresë. U pagëzua në vitin 1995. Që kur ishte fëmijë, ishte shumë e dhënë pas muzikës dhe këngës. Gjen kënaqësi sidomos duke kënduar këngët e Mbretërisë

Olga Panjuti

  • Lindur: 1959 (Nizhnji-Novgorod)

  • Biografia: Para se të dilte në pension, ka punuar si edukatore kopshti dhe punonjëse sociale. U martua me Vladimirin në vitin 1982. Kanë tre fëmijë të rritur: dy vajza dhe një djalë. Studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe i pëlqyen mësimet e saj të qarta dhe të kuptueshme. U pagëzua në vitin 1996

Aleksei Trofimovi

  • Lindur: 1959 (Mamakan, rajoni i Irkutskit)

  • Biografia: Kur ishte në universitet në Vladivostok, njohu të shoqen, Tamarën. Kanë katër fëmijë dhe disa nipa e mbesa. Ka punuar si bravandreqës, kurse kohët e fundit po punon si përgjegjës në një dhomë bolierësh. Vendosi t’i shërbente Jehovait në fillim të viteve 90, pasi kuptoi se Fjala e Perëndisë mëson si të kesh një jetë më kuptimplotë. U pagëzua në vitin 1996

Historiku i çështjes

Më 25 nëntor 2018, policë të armatosur bastisën dhe kontrolluan shtëpitë e 4 Dëshmitarëve në qytetin e Spask-Dalnijit. Ata përdorën një sharrë elektrike për të prerë derën e apartamentit të Olga Opalevit. Pasi hynë, e pyetën pse nuk e hapi derën. Mirëpo, ajo nuk ishte në gjendje të shpjegohej qartë. Policët thirrën ambulancën dhe mjekët thanë se kishte pësuar infarkt në zemër. Po atë ditë, policët e morën nga spitali dhe e futën në një zyrë për ta marrë në pyetje. Për shkak të infarktit, Olga nuk i lëviz dot plotësisht krahun e këmbën e majtë. Të birin që kujdeset për të, vëlla Vitali Ilinikun, e kanë akuzuar për krim

Të 4 i futën në një qendër paraburgimi të përkohshme ku i mbajtën për dy ditë. Më 27 nëntor 2018 i kaluan në arrest shtëpie. Mbi një vit më vonë u hoqën disa kufizime.

Ata i kanë akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në veprimtaritë e një organizate të ashtuquajtur ekstremiste.

Miqtë dhe familjarët, ndër ta edhe disa që nuk janë Dëshmitarë, thonë se nuk e kuptojnë arsyen pse qytetarë kaq paqësorë po dënohen për shkak të besimit. Në rastin e Dmitrit, edhe kolegët që nuk kanë të njëjtat bindje fetare si ai, e mbështetin dhe e nxitin të mos dorëzohet.

Dmitri e kupton se gëzimi që përjeton gjatë përndjekjes, është provë se Jehovai është me të. Ai thotë: «Ashtu si shkopi i Moisiut që ishte shenja se Jehovai ishte me të, edhe gëzimi im tregon se Jehovai po më mbështet.» Më tej shton se gëzimi i tij «do të jetë një dëshmi e fuqishme për gjithë personelin e gjykatës dhe hetuesit».

Olga Opalevi tregon: «Kur shoh si po qëndroj, e dalloj qartë dorën e Jehovait në çdo gjë. Fillova të mbështetesha te Jehovai për gjithçka, edhe për gjëra të vockla, dhe po përpiqem t’ia hedh plotësisht barrën time.»

Aleksei sjell ndër mend çfarë e ndihmoi gjatë kohës në paraburgim dhe në arrest shtëpie: «[Jehovai] më ka ndihmuar të jem i fortë. Këtë nisa ta përjetoja kur më futën në qendrën e paraburgimit. Iu luta Jehovait të më jepte guxim. Dhe menjëherë ndjeva se duart e këmbët nuk po më dridheshin më, madje as zëri. E ndava mendjen të bëja gjithë sa mundja që të përshtatesha me situatat e reja.»

Olga Panjuti komenton: «Këtu bëhet fjalë për emrin e Jehovait, prandaj duhet të besojmë tek ai, t’i shërbejmë me gjithë shpirt ndërsa bëjmë vullnetin e tij dhe të forcojmë miqësinë me të.»

Ndërsa vëllezërit e motrat tanë të shtrenjtë presin vendimin, lutemi që të vazhdojnë të mbështeten plotësisht te Jehovai, «Shkëmbi» i tyre, që të marrin forcë për të qëndruar.—Ligji i përtërirë 32:4.